Institucioni

Institucioni > Lajme >

Misioni i FMN-së takime me Drejtuesit Rajonalë të Administratës Tatimore

Në kuadër të misionit dy javor të asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar në administratën tatimore u zhvilluan ditën e enjte, takime në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe drejtoritë rajonale të Tiranës e Lezhës. Në takimin e mbajtur në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj përfaqësuesit e FMN-së u pritën nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Znj. Vasilika Vjero, Drejtoresha e Tatimpaguesve të Mëdhenj znj. Enkeleida Pipa si dhe drejtues të tjerë në këtë drejtori.

Takimet u fokusuan në çështjet organizative dhe funksioneve të strukturës aktuale të administratës tatimore. Drejtuesit shkëmbyen informacion për detyrat që kryen çdo sektor, aktivitetet e punës së adminisitratës në funksion të maksimizimit të mbledhjes së të ardhurave dhe nxitjes së përmbushjes vullnetare. Gjatë takimeve u evidentua edhe nevoja për specializime të thelluara të punonjësve në sektorë të cilët kërkojnë kualifikime specifike.

Edhe takimet në drejtoritë rajonale të Tiranës dhe Lezhës u fokusuan në aspekte të mirëmenaxhimit të burimeve në dispozicion të administratës tatimore si dhe koordinimit të veprimtarisë së saj me strukturat e tjera institucionale. Përfaqesuesit e FMN-së u njohën me funksionimin e sektorëve në Drejtorinë e Mbledhjes me Forcë atë të akt-marrëveshjeve dhe mbledhjes së borxhit. Këto takime zhvillohen me qëllim evidentimin e problematikave dhe thjeshtimin e proceseve administrative për forcimin e mëtejshëm të rolit të administratës tatimore në vend.