Institucioni

Institucioni > Lajme >

DRT Shkodër dhe Fier takim me përfaqësues të bizneseve

Drejtoria Rajonale Tatimore Shkodër, në kuadër të aksionit anti informalitetit, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve të Malësisë së Madhe. Në këtë takim u diskutua në lidhje me zbatimin e aksionit anti informalitet si dhe u ndanë opinione në lidhje me problematikat e ndërsjellta.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e DRT Shkodër informuan pjesmarrësit në lidhje me fazën e fundit të zbatimit të Ligjit të Faljes dhe i ftuan tatimpaguesit të përfitojnë nga ky ligj, duke ju kujtuar se detyrimet e principalit të papaguar për periudhën 2011-2014, duhet të shlyhen deri më 31 Dhjetor të këtij viti për të përfituar  fshirjen e detyrimeve të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara.

Përfaqësuesit e administratës tatimore njëkohësisht informuan pjesmarrësit në lidhje me 9 shërbimet e reja që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ofron në platformën online e-albania, për gjenerimin e vërtetimeve në çdo kohë dhe pa asnjë kosto nga vetë bizneset apo individët.

Po kështu edhe Drejtoria Rajonale Tatimore e Fierit organizoi një takim me përfaqësues të biznesit në zonën e Mallakastrës, ku pjesëmarrësit shkëmbyen idetë dhe shprehën sygjerimet e tyre në lidhje me problematikat që hasen gjatë kontrolleve të bizneseve të këtij qarku. Nga ana tyre përfaqësuesit e biznesit të kësaj zone kërkuan vijimin e thjeshtimit të procedurave e dokumentacionit tatimor si dhe rritjen e shkallës së informimit.

Administrata tatimore do të vijojë të jetë pjesë aktive e këtyre konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe do zhvillojë takime të tjera në vijim, me qëllim bashkëbisedimin me tatimpaguesit, shkëmbimin e opinioneve dhe dëgjimin e problematikave të ngritura prej tyre.