Institucioni

Institucioni > Lajme >

Si të korrigjojmë një shtypje gabim të kuponit tatimor

Administrata tatimore ju kujton se çdo transaksion i kryer gabim nga tatimpaguesi në pajisjen fiskale duhet të vetdeklarohet duke depozituar një kërkesë për korrigjim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Në rastet kur si rezultat i një gabimi të pavullnetshëm, nga ana e tatimpaguesit, është regjistruar një veprim shitjeje i pa realizuar (gabim) nga ana e tatimpaguesit veprohet si më poshtë:

  • Tatimpaguesi njofton Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal (i cili klikohet e shkarkohet nga faqja www.tatime.gov.al, në rubrikën Pajisjet Fiskale/Formularë për pajisjet fiskale);
  • DPT do të bëjë reflektimin e këtij gabimi në të dhënat e regjistruara në serverin e raportimeve të shitjeve duke e korrigjuar atë (nëpërmjet pasqyrimit në një kolonë të veçantë)

Kujdes! Subjekti pavarësisht kërkesës për korrigjim do të vazhdojë normalisht raportimin e shitjeve. Shifra e raportuar do të tregojë xhiron reale pas zbritjes së gabimit (korrigjimit/rregullimit) nga ana e DPT-së.

Nëse tatimpaguesi nuk bën kërkesë në drejtorinë rajonale për të korigjuar gabimet në shtypjen e kuponit tatimor atëherë aplikohet dënimi administrativ për mosreflektimin real të situatës financiare dhe lëshim të gabuar të kuponit tatimor.

Administrata Tatimore ka analizuar transaksionet që tatimpaguesit persona fizikë dhe juridikë kryejnë nëpërmjet pajisjeve fiskale ku rezulton se tatimpaguesit kanë shtypur kupona tatimorë me vlera të larta ose kupona tatimorë me vlerë 0.

Në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale Tatimore, po verifikohet numri i tatimpaguesve të cilët kanë reklamuar gabimin e kryer në shtypjen e pajisjeve fiskale ndaj ftojmë tatimpaguesit të respektojnë detyrimin e tyre si më sipër.