Institucioni

Institucioni > Lajme >

DRT Tiranë takim me përfaqësues të sektorit Hoteleri Turizëm

Në vijim të takimeve dhe komunikimit të afërt me komunitetin e biznesit përfaqësues të  Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, zhvilluan një tryezë bashkëbisedimi me përfaqësues të subjekteve në fushën e hotelerisë turizmit dhe shërbimeve, të cilat operojnë në këtë qark.   

Në fjalën e tij Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tiranë z. Dionis Imeraj, theksoi se mbështetja e biznesit në këtë sektor do të jetë prioritet i administratës duke nënvizuar se çdo punonjës i saj është në dispozicionin e sipërmarrësve për t’i asistuar ata në çdo hallkë të veprimtarisë.

Më tej z. Imeraj paraqiti disa nga të dhënat domethënëse të aksionit anti informalitet duke kërkuar mbështetjen dhe bashkëpunimin e biznesit në luftën e përbashkët kundër informalitetit. “Në këtë sektor administrata tatimore do të ushtrojë kompetencën e saj për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore të çdo subjekti apo individi që ushtron veprimtarinë në kushtet e paligjshmërisë duke fshehur apo shmangur detyrimet tatimore, kryesisht operatorët që ofrojnë struktura të akomodimit , nëpërmjet faqeve të internetit pa u regjistruar dhe duke përfituar në mënyrë të paligjshme”. 

Përfaqësuesit e biznesit të turizmit përshëndetën këtë nismë e cila sipas tyre është kthyer në një problem serioz duke krijuar një treg paralel konkurence të pandershme. 

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi efektet dhe impaktin pozitiv që ka sjellë në këtë sektor ulja e TVSH-së nga 20 në 6 % e cila sipas tyre jo vetëm që ka lehtësuar barrën e fiskale por është reflektuar edhe në çmimin për akomodimin e klientëve. 

Bizneset u shprehën edhe njëherë pozitivisht për iniciativën e marrë nga administrata tatimore në lidhje me dëgjesat dhe marrjen  e sugjerimeve të tyre nga takimet me tatimpaguesit.