Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën me dije se të ardhurat e realizuara nga ofrimi i shërbimeve në strukturat akomoduese nga individët apo tatimpaguesit e regjistruar në administratën tatimore nëpërmjet përdorimit të faqeve të rrjetit internet si Booking.com, Air Bnb e të tjera të ngjashme, janë të tatueshme, ndërkohë që personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë të detyruar të jenë të siguruar për efekt të Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.
Ju kujtojmë se informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga administrata tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Çdo person që ofron shërbimin e akomodimit (hotelerisë), brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kryen një veprimtari ekonomike për të cilën është i detyruar të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Çdo aktivitet ekonomik i ushtruar në mënyrë të paligjshme, apo e ardhur e padeklaruar e siguruar nga ky aktivitet, konsiderohet shkelje dhe penalizohet në bazë të dispozitave të ligjit proçedurial.
Në mbështetje të Nenit 41, pika 2 e Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, bëhet bllokimi i së drejtës për të ushtruar aktivitetin ekonomik e pezullimi i lejes/liçencës për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore (për ato subjekte që e disponojnë një të tillë sipas ligjit të turizmit) si dhe vendoset penalitet sipas Nenit 112 të po këtij ligji.