Institucioni

Institucioni > Lajme >

Tatimpagues tregoni kujdes kur kryeni transaksione

Nga mbikëqyrja që Administrata Tatimore u ka bërë të dhënave lidhur me transaksionet e kryera midis tatimpaguesve rezultojnë raste kur tatimpagues me status aktiv realizojnë transaksione, në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv.

Konkretisht nga kontrolli i të dhënave në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, rezulton që për vitin 2017, tatimpagues të klasifikuar si të mëdhenj, kanë faturuar rreth 11 mijë transaksione, në adresë të tatimpaguesve, persona fizikë, që janë me status pasiv.

Administrata tatimore, është duke e shtrirë këtë verifikim edhe tek drejtori të tjera rajonale tatimore.

Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me ligjin.

Për çdo rast që nga furnizuesit është shënuar fiktivisht NIPT-i i blerësit, realisht me status pasiv, ndaj lëshuesit të faturës tatimore do të aplikohet dënim administrativ.

Nëse tatimpaguesi me status pasiv, ka kryer aktivitet, ndaj tij administata tatimore, përveç dënimit administrativ, do të kryejë edhe vlerësim tatimor për të gjithë periudhën që ai ka qenë në regjistrin pasiv.

Shkelje të përsëritura të kësaj natyre, bazuar në nenin 116, pika 1 të ligjit të procedurave tatimore do të konsiderohen si evazion tatimor si dhe vepër penale bazuar në nenin 131 të ligjit procedurial.

Transferimi i tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, mundësohet, në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:


a) nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
b) nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
c) deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe kjo e fundit e ka miratuar pezullimin, i cili i është njoftuar edhe administratës tatimore.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mund të konsultoni listën e përditësuar të tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv.

https://www.tatime.gov.al/c/8/129/132/subjekte-pasive