Institucioni

Institucioni > Lajme >

DRT Fier dhe Durrës takime me përfaqësues të biznesit të vogël

Drejtoria Rajonale Tatimore Fier ka zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve lokale.

Në takim morën pjesë përfaqësues të bizneseve që kanë shtuar pergjegjësinë tatimore të TVSH-së si rezultat i vizitave fiskale në kuadër të aksionit anti-informalitet.

Objektivi i këtij takimi është forcimi i bashkëpunimit, me qëllim inkurajimin e vetëdeklarimit të detyrimeve tatimore sipas afateve dhe rregullave proceduriale.

Shkëmbimi i opinioneve në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit ishte gjithashtu në fokus të diskutimeve.

Përfaqësuesit e bizneseve prezantuan kërkesat për informim në fushën e TVSH-së dhe Tatimit të Fitimit, në mënyrë që të jenë sa më korrektë në përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Në përfundim ata vlerësuan nismën dhe përkrahën idenë e zhvillimit të takimeve të tjera të kësaj natyre.

Po në këtë kuadër, DRT Durrës zhvilloi takim me përfaqësues të biznesit të vogël, ku u diskutua në lidhje me zbatueshmërinë e aksionit kundër informalitetit dhe problematikave të tjera në fushën fiskale të biznesit të vogël.

Pjesëmarrësit ishin pozitivë ndaj qasjes për regjistrimin e TVSH-së te bizneset e vogla dhe shprehën bashkëpunim në luftën kundër evazionit tatimor.