Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në kuadër të aksionit anti informalitet zhvilloi një takim me subjekte që operojnë në sektorin e lojërave të fatit. Takimi kishte për qëllim informimin e përfaqësuesve të këtij sektori në lidhje me zbatimin e aksionit anti informalitet si dhe çështje për të cilat administrata tatimore kërkon bashkëpunimin, e më konkretisht deklarimi real i qerave për të gjitha pikat sipas adresave sekondare që subjektet e lojërave të fatit kanë në territor, tatimi i të ardhurave të fituesve nga lojërat e fatit si dhe niveli i pagave të punonjësve të këtij sektori.
Përfaqësuesit e bizneseve të Lojrave të fatit përcollën shqetësimin e tyre në lidhje me vështirësinë e identifikimit të fituesve nëpërmjet lojërave elektronike dhe rrjedhimisht të vjeljes së tatimit nga fitimet e individëve.
Drejtoria Rajonale Tatimore Dibër zhvilloi një takim me tatimpagues të qytetit të Matit, ku pjesmarrës ishin përfaqësues të bizneseve në fushën e tregtisë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte informimi i bizneseve si dhe përfshirja e tyre në zbatimin e aksionit anti informalitet dhe ndërgjegjësimi për përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.
Gjatë këtij takimi drejtuesit e drejtorisë rajonale tatimore Dibër informuan tatimpaguesit në lidhje me ecurinë e fazës së tretë të aksionit anti informalitet. Gjithashtu diskutuan veprimet që janë ndërmarrë dhe sektorët ku është fokusuar më shumë ky aksion. Në vijim të diskutimit u theksua edhe rëndësia dhe detyrimi i përdorimit të pajisjeve fiskale e lëshimi i kuponave tatimorë për çdo transaksion sipas specifikimeve ligjore.
Pjesmarrësit vlerësuan këto takime si shumë të rëndësishme për bashkëpunimin midis dy palëve dhe shprehën interesin dhe gadishmërinë e tyre për të qënë pjesë aktive sa herë që kërkohen propozime për zgjidhjen e problematikave që lidhen me sektorët ku ata bëjnë pjesë.