Institucioni

Institucioni > Lajme >

Në vëmendje të tatimpaguesve për mbajtjen e dokumentacionit tatimor


Nga kontrollet e ushtruara në vendndodhjen e biznesit, administrata tatimore konstaton me shqetësim se një pjesë e tatimpaguesve, sidomos ata të regjistruar në Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin (biznes i vogël), mbajnë pjesërisht ose nuk mbajnë fare dokumentat tatimore të blerjes (faturën tatimore) për mallrat që kanë në inventar.

Kujtojmë se Ligji nr.9920 datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka përcaktuar qartë detyrimin e çdo tatimpaguesi për mbajtjen e dokumentacionit tatimor, po edhe sanksionet që zbatohen për kundërvajtësit.

1) Mbështetur në nenin 58 të ligjit, tatimpaguesit që mbajnë, tregtojnë, përdorin ose transportojnë mallra, duhet të kenë dokumentet e nevojshme tatimore, që provojnë pronësinë ose kontrollin mbi këto mallra dhe me kërkesën e zyrtarëve të administratës tatimore, i vënë këto dokumente në dispozicion të tyre.

2) Mbështetur në nenin 51 të ligjit, është detyrim i blerësit të kërkojë faturën tatimore, në kohën e realizimit të shitjes.

Për rastet kur tatimpaguesi mban mallra të pashoqëruara me faturë tatimore, zbatohet proçedura e mëposhtme:

a) Tatimpaguesi i Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit që nuk është i regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së. Nëse tatimpaguesi ka në përdorim fatura të thjeshta tatimore, ai lëshon një faturë të thjeshtë tatimore, sipas nenit 53 të ligjit për të dokumentuar mallin.
Kjo faturë i bashkëngjitet akt konstatimit dhe proçesverbalit përkatës dhe në të shënohet numri dhe data e akt konstatimit dhe proçesverbalit përkatës.
Ky tatimpagues detyrohet të pajiset me fatura tatimore me TVSH, sapo i aktivizohet përgjegjësia për TVSH-në.

b) Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në detyrohet të dokumentojë mallin duke lëshuar faturë tatimore me TVSH, sipas nenit 53 të këtij ligji, por pa llogaritur TVSH-në. Kjo faturë nuk është dokument për njohjen si shpenzim i zbritshëm për sa është një dokument i lëshuar në kushtet e shkeljes së konstatuar. Në faturë përveç të dhënave identifikuese, datës, numrit të akt konstatimit dhe proçesverbalit përkatës duhet të evidentohet qartë përshkrimi i mallit dhe sasia e tij.

c) Bazuar në nenin 124, pika 1 të ligjit, ndaj tatimpaguesit vendoset një dënim me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, llogaritur nga administrata tatimore.