Institucioni

Institucioni > Lajme >

Kujtesë tatimpaguesve për detyrimin e lëshimit të kuponit tatimor

Administrata Tatimore po vijon me kontrolle në çdo subjekt që ushtron aktivitet tregtar, për zbatimin e ligjit dhe garantimin e kushteve për konkurrencë të ndershme në luftën kundër evazionit dhe informalitetit.

Strukturat e zbatimit Task-Forcë të Drejtorisë së Hetimit Tatimor po ushtrojnë kontrolle në territor në zbatim të planit anti informalitet.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar problematika të përsëritura që lidhen me mos lëshim të kuponit tatimor, pajisje fiskale jo në gjëndje pune, pajisje jo fiskale, punonjës të padeklaruar apo subjekte të pa regjistruara.

Administrata tatimore sjell dhe njëherë në vëmendje të tatimpaguesve sa mëposhtë:

Mos lëshim kuponi hera I-rë shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit.

Mos lëshim kuponi hera II-të shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe gjithashtu merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike.

Mos lëshim kuponi hera III-të shoqërohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe konsiderohet evazion tatimor duke kallëzuar subjektin penalisht.

Gjithashtu, publikohet emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë subjekteve tregtare të zbatojnë ligjin dhe të lëshojnë kuponin tatimor për çdo shitje/transaksion që kryejnë!