Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Drejtoria Rajonale Tatimore Kukës zhvillojnë takime me përfaqësues të biznesit

Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj zhvilloi takim me Shoqatën e Ndërtuesve. Në këtë takim përfaqësues të Administratës Tatimore sqaruan hapat e ndërmarrë gjatë aksionit anti informalitet si dhe dëgjuan problematikat e ngritura nga përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit. DTM evidentoi kriteret kryesore që ndiqen gjatë kontrolleve që janë në proçes dhe që do të vazhdojnë në kuadër të këtij aksioni. Për sektorin e ndërtimit u theksua si shumë e rëndësishme problematika e hasur nga kontrollet dhe verifikimet në vend në lidhje me mos-situacionimin në kohë të punimeve të kryera nga ana e subjekteve ndërtuese.

Gjithashtu në këtë takim u kërkua që sektori i ndërtimit të deklarojë në mënyrë reale punonjësit, të cilët zënë një pjesë të rëndësishme në numrin total të të punësuarve në vend.Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve vlerësuan nismën e Administratës Tatimore dhe parashtruan shqetësimet dhe rekomandimet e tyre në lidhje me këtë sektor.

Në vijim të këtyre takimeve edhe DRT Kukës mblodhi në një tryezë bashkëbisedimi përfaqësues të bizneseve të zonës së Hasit. Fokusi i këtij diskutimi ishte aksioni anti informalitet që po zhvillohet dhe impakti i tij mbi tatimpaguesit. Përfaqësuesit e bizneseve kanë përshëndetur këtë nisëm të Administratës Tatimore për zhvillimin e këtyre tryezave të bashkëbisedimit në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet të cilave të gjitha grupet e interesit kanë mundësinë të prezantojnë problematikat e tyre si dhe të bëjnë rekomandime në favor të përmirësimit të klimës ndaj biznesit.