Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë organizoi një takim me 50 bizneset kryesore në fushën e tregtisë dhe prodhimit, në lidhje me aksionin kundër informalitetit.
Drejtori Rajonal Z. Dionis Imeraj paraqiti strategjinë e aksionit kundër informalitetit të zbatuar nga DRT-Tiranë, për kontrollet që po ushtrohen në vendodhjen e biznesit në administrim të DRT Tiranë, të cilat janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së riskut.
Njëkohësisht u theksua roli i veçantë që i është dhënë edukimit, asistencës dhe shërbimit ndaj tatimpaguesve si në biznese ashtu edhe gjatë pritjeve në sportele apo me komunikimet nëpërmjet Qëndrës së Thirrjeve.
Sipas përfaqësuesve të biznesit të madh shqetësim mbetet zbatimi i sistemit të TVSH-së. Sipas tyre përpara ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë, për këtë arsye të gjitha bizneset e vogla pa përjashtim duhet të jenë pjesë e skemës së TVSH-së çka do të bënte të mundur që zinxhiri i TVSH-së të mos ndërpritej.
Në vijim të këtyre takimeve, edhe DRT Lezhë zhvilloi një takim me 32 tatimpagues në sektorin e tregtisë si dhe me përfaqësuesit e dhomës së tregtisë, ku u diskutua mënyra sesi po zbatohet plani kundër informalitet nga drejtuesit e tatimeve dhe çfarë duhet të ketë në konsideratë biznesi.
Bizneset vlerësuan inisiativën që Administrata Tatimore ka ndërmarrë në lidhje me dëgjesat dhe sugjerimet e tyre dhe u shprehën pozitivisht për bashkëpunim kundër informalitetit dhe evazionit.