Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT takim me tatimpaguesit e mëdhenj për planin anti- informalitet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilluan takimin informues mbi planin anti-informalitet. Takimi kishte për qëllim prezantimin e planit përpara tatimpaguesve të mëdhenj, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Në këtë takim në fokus ka qënë diskutimi i problematikave të tatimpaguesve të mëdhenj si dhe orientimi nga përfaqësuesit e DTM për zbatueshmërinë me korrektesi të legjislacionit tatimor.

Drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj informoi të pranishmit në lidhje me fazën e parë të aksionit, veprimet që do të ndërmerren dhe industritë ku do të fokusohet më shumë ky aksion të cilat do të përfshijnë tregtinë, prodhimin dhe ndërtimin. Në vijim të diskutimit mbi anti informalitetin DPT theksoi se në themel të përzgjedhjes së tatimpaguesve objekt i kontrolleve mbetet moduli i analizës së riskut.

Ndërkaq Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve dhe anëtare e bordit të Dhomës Amerikane, znj. Alketa Uruçi vlerësoi përmirësimin e marrëdhënies së Administratës Tatimore me biznesin duke kërkuar po ashtu rritjen e mëtejshme të nivelit profesional të inspektorëve dhe specialistëve të adminsitratës tatimore për të shmangur kontrolle të tejzgjatura të cilat bëhen pengesë në ushtrimin e veprimtarisë së kompanive.

Administrata Tatimore do të jetë pjesë aktive e tryezave të konsultimit me biznesin të cilat do të mbahen në të gjitha Drejtoritë Rajonale, kjo ka për qëllim njohjen në kohë reale me problematikat e biznesit për t’u dhënë atyre zgjidhje sa më të shpejtë si dhe vendosjen e një komunikimi direkt e konstruktiv me të gjithë aktorët e biznesit në vend.