Në zbatim të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë'', i ndryshuar, Udhëzimit nr.24, datë 02.09.2008 i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, i ndryshuar, Rregullores “Për përcaktimin e procedurave të rekrutimit, emërimit, vlerësimit dhe marrjen e masave disiplinore për punonjësit e strukturave të hetimit tatimor”, miratuar me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve nr. 65, datë 04.10.2017, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju njofton hapjen e procedurës për konkrurrim për pranim në strukturat e hetimit tatimor, në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Rajoni Verior e Qendror, dhe Task Force për grupin e pozicioneve:
Kriteret e përgjithshme e të posaçme:
Për pranimin në strukturat e hetimit tatimor një kandidat duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme si më poshtë:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar deri në momentin e aplikimit;
e) të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe kërkesat e tjera të posaçme sipas pozicionin përkatës.
Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:
- Inspektor Zbatimi në Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në DPT, Sektori i Zbatimit (Task Force) kategoria III-b- duhet të zotërojë diplomë Master Shkencor në Shkenca Ekonomike ose Juridike dhe diploma Bachelor në të njëjtën fushë dhe të ketë jo me pak se 2 vjet përvojë pune në profesion.
- Inspektor Zbatimi kategoria IV-a- duhet të zotërojë minimalisht diplomë Bachelor në Shkenca Ekonomike ose Juridike dhe të ketë jo me pak se 1 vit përvojë pune në profesion.
- Inspektor Zbatimi kategoria IV-b- duhet të zotërojë minimalisht diplomë Bachelor në Shkenca Ekonomike ose Juridike.
- Inspektor Hetimi kategoria IV-a- duhet të zotërojë diplomë Master Profesional në Shkenca Ekonomike ose Juridike, diploma Bachelor në të njëjtën fushë dhe të ketë jo me pak se 1 vit përvojë pune në profesion.
- Inspektor Kartoteke kategoria IV-a- duhet të zotërojë diplomë Master Profesional në Shkenca Shoqërore dhe të ketë jo me pak se 1 vit përvojë pune në profesion.
Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
a - jetëshkrim
b- fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën bachelor), për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
c- fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
d- fotokopje të letërnjoftimit (ID);
e- vërtetim të gjendjes shëndetësore;
f- vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
g- çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
Dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër do të bëhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shoqëruar me një listë dokumentacioni dhe një kërkesë për aplikim.
Afati për dorëzimin e dokumentave është data 17/10/2017.
Rezultatet për fazën e verifikimit paraprak
Në datën 22/10/2017, në faqen zyrtare të internetit te DPT, do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kërkesat e posaçme, si dhe data, vendi dhe ora e saktë ku do të zhvillohet testimi me shkrim.
Fushat e njohurive mbi të cilat do të zhvillohet testimi dhe intervista
Kandidatët do të testohen në lidhje me:
- Njohuritë mbi Ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë'', i ndryshuar;
- Njohuritë mbi Ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar;
- Njohuritë mbi Kodin e Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë;
- Njohuritë mbi Ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar;
- Njohuritë mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.400, datë 22.04.2009 “Për detyrat dhe funksionet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor”.
Mënyra e vlerësimit të kandidatëve
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:
a - testimin me shkrim, deri në 70 pikë;
b - intervistën e strukturuar me gojë deri në 30 pikë;
Vëtëm kandidatët që janë vlerësuar me të paktën 49 pikë në testimin me shkrim kanë të drejtë të zhvillojnë intervistën e strukturuar me gojë, për vendin dhe orën e zhvillimit të së cilës, do të bëhet njoftimi nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të DPT-së.
Data e daljes së rezultateve të konkurimit dhe mënyra e komunikimit.
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, DPT do të shpallë listën e kandidatëve fitues në faqen zyrtare të institucionit.