Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT takim me Administratën Tatimore të Çekisë për shkëmbim të përbashkët eksperiencash

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero, shoqëruar nga zëvëndës Drejtori i Përgjithshëm si dhe nga drejtorët e Drejtorisë së Riskut dhe Tatimpaguesve të Mëdhenj, zhvilloi një vizitë në Administratën Tatimore të Çekisë mbi shkëmbimin e eksperiencave midis këtyre dy administratave.

Delegacioni i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore Çeke, z. Jan Ronovsky, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit mes administratave tatimore si një faktor të rëndësishëm në luftën kundër evazionit fiskal dhe formalizimit të vazhdueshëm të ekonomisë në të dy vendet. Të dy palët prezantuan mënyrën e organizimit dhe funksionimit të administratave tatimore përkatëse. Ekspertët e tyre trajtuan çështje të tilla si:

  • Kontrolli i deklarimit të TVSH, problemet dhe rrugët për luftën kundër evazionit fiskal, transaksionet e përdorimit të tatimpaguesit për të evituar derdhjen e TVSH.
  • Menaxhimi i riskut dhe mbledhjen e borxheve dhe zhvillime praktike në të dy vendet për mbledhjen e borxhit.
  • Regjistrimi i shitjeve elektronike, taksimi i shitjeve elektronike dhe vështirësitë në mbledhjen e TVSH.

Pjesëmarrësit i përshëndeti Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, z. Riza Poda, shoqëruar nga z. Lulzim Çota, Ministri Këshilltar, si dhe z. Ilirjan Kuka, Këshilltari Ekonomik, të cilët po punojnë për rritjen, shtrirjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat dhe nivelet e interesit të përbashkët, përfshi vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve që ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë, luftën kundër informalitetit dhe forcimin e diplomacisë ekonomike mes dy vendeve.