Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi përmbylli me sukses proçesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat, implementoi fazën e parë: Fshirja automatike e detyrimeve të papaguar të interesave për pagesë të vonuar si edhe çdo penaliteti për të cilin nuk ka principal të papaguar, për periudhat mujore deri më 1012 (Dhjetor 2010, përfshirë) dhe periudhat vjetore deri më 10-A (përfshirë).
Gjatë ditës së djeshme nga fshirja automatike e këtyre detyrimeve, për periudhat e përcaktuara sipas nenit 5 të ligjit 33/2017, janë ekzekutuar 50 430 raste ku kanë përfituar në total 11 577 tatimpagues. Nga fshirja automatike kanë përfituar të gjithë kategoritë e tatimpaguesve që kanë patur detyrime të tilla, pavarësisht nga statusi i tyre aktual. Llojet e detyrimeve që janë fshirë nga sistemi elektronik për pagesë të vonuar janë:
• Interesa për pagesë të vonuar
• Gjoba për pagesë të vonuar
• Dënime administrative
Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike njoftimin përkatës. Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni.
Kujtojmë se tatimpaguesit duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjendet i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”.
Ju faleminderit!