Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim mbi shkallën tatimore të reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar, prej 6%

Me hyrjen në fuqi të ligjit Nr.71/2017 datё 27.04.2017 “Për njё shtesё nё Ligjin Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, ka filluar nga muaji Qershor të zbatohet, shkalla tatimore e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, prej 6 për qind.
Kjo shkallë është e detyrueshme të zbatohet, për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit.

Të gjithë operatorët e furnizimit të shërbimit të akomodimit, që preken prej këtij ndryshimi, mund të shfrytëzojnë menjëherë, që në muajin e parë, mundësinë për të përfituar nga kjo shkallë e ulët taksimi.
Tatimpaguesit do të mund të regjistrojnë faturat e tyre me shkallën prej 6 për qind, në librat e shitjes të muajit Qershor, si periudhë tatimore dhe që dorëzohen, deri në datën 10 Korrik.

Në zbatim të detyrimit të implementimit të ndryshimi ligjor, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë marrë të gjitha masat për të funksionalizuar këtë ndryshim të rëndësishëm.

Njëkohësisht bëjmë të ditur, që për Formularin e Deklarimit e Pagesës së TVSH-së (FDP),është bërë e mundur edhe teknikisht që të plotësohet nga tatimpaguesit e kësaj fushe, me shkallën e reduktuar të tatimit prej 6 për qind, për periudhën tatimore Qershor 2017, e cila duhet të deklarohet deri në datën 14 Korrik 2017.

Për cdo sqarim të interesuarit mund të drejtohen pranë sporteleve të shërbimit të tatimpaguesve në drejtorinë rajonale të juridiksionit të tyre.

Ju faleminderit!