Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT merr pjesë në takimin vjetor koordinues BE-FMN

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero dhe zëvendës Ministri i Financave z. Erjon Luçi, morën pjesë në takimin e dytë vjetor të Komisionit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombetar (FMN), i cili u mbajt në Ljubjanë më 31 Maj. Ky takim fokusohej tek programi i zhvillimit të kapaciteteve, i financuar nga BE “Forcimi i Qeverisjes Ekonomike dhe Menaxhimit të Financave Publike” i cili është duke u zbatuar aktualisht nga FMN në Evropën Juglindore. Në fjalën e saj znj Vjero theksoi se asistenca teknike nga FMN ka ndihmuar në ndërtimin e strategjive më të mira në administratën tatimore në ofrimin e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve. Po kështu ajo shprehu vlerësimin për mbështetjen e kombinuar të BE dhe FMN ndaj zhvillimit ekonomik, mbështetje e cila ka nxitur përpjekjet për të përmbushur kriteret që çojnë në anëtarësimin në BE.

Z.Bernard Brunet, Kreu i Njesisë përgjegjëse për Mbështetjen Tematike, Monitorimin dhe Vlerësimin në Komisionin Europian (Drejtoria e Përgjithshme për Negocimin e Fqinjësisë dhe Zgjerimit) theksoi se partnerët e Ballkanit Perendimor kanë bërë progres thelbësor reformash gjatë vitit të kaluar, në linjë me synimin e BE për të promovuar qeverisjen e përmirësuar ekonomike në rajon.

Pjesëmarrësit u takuan me Ministra dhe zyrtarë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi e Serbia dhe diskutuan progresin e arritur, planin e punës të propozuar për vitin në vazhdim si edhe prioritetet afat-mesme.

Mbështetja e politikave makroekonomike dhe institucioneve të financave publike në vendet anëtare dhe në vendet partnere ka qenë një objektiv i përbashkët si i FMN ashtu edhe i BE-së. Partneriteti i tyre është intensifikuar gjatë pesë viteve të fundit dhe përfshin konsultime të rregullta në nivel stafi dhe në nivele menaxheriale. Perpjekjet e FMN për zhvillimin e kapaciteteve janë pjesë e mandatit të saj thelbësor dhe ndihmojnë qeveritë të modernizojnë politikat dhe institucionet e tyre ekonomike.