Të nderuar Tatimpagues,
Administrata Tatimore, në funksion të detyrimit të saj për t’ju informuar e asistuar, në çdo aspekt që lidhet me zbatueshmërinë e detyrimeve ligjore, ju risjell në kujtesë detyrimin tuaj për mbajtjen e dokumentacionit tatimor dhe konkretisht atij që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale mbi:
Detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, neni 54 dhe 55 i Ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, sipas të cilit, për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar tatimor.
Referuar detyrimit të saj për të siguruar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit tatimor në fuqi, administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues.
Nga analiza dhe monitorimi i sistemit elektronik janë evidentuar tatimpaguesit, të cilët ndjeshëm kanë ulur numrin e kuponave të lëshuar, vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi për verifikim në vend nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor.
Administrata tatimore ju fton të tregoni kujdes, pasi në çdo rast ku do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit adminsitrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore.
Ju faleminderit!