Administrata Tatimore informon se problematika e konstatuar në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se platforma është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht.
Pavarësisht problematikës teknike të konstatuar, tatimpaguesit kanë mundur të vijojnë normalisht me lëshimin e faturave. Në rastet kur, për shkak të vështirësive teknike në komunikimin me sistemin, faturat nuk janë pajisur në moment me kodin unik NIVF, fiskalizimi i tyre është kryer më pas.
Me rikthimin e funksionimit normal të sistemit, faturat e mbetura në pritje janë transmetuar dhe fiskalizuar automatikisht.
Administrata Tatimore thekson se problematika teknike nuk ka penguar në asnjë moment lëshimin e faturave nga tatimpaguesit dhe se procesi i fiskalizimit të faturave të mbetura në pritje është kryer pas normalizimit të sistemit.
Aktualisht, shërbimet e fiskalizimit janë plotësisht funksionale dhe procesi vijon normalisht.