Administrata Tatimore ka marrë një numër të lartë denoncimesh të ardhura përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”, të cilat lidhen kryesisht me moslëshimin e faturës tatimore, mosdeklarimin e punonjësve, si edhe me shkelje të tjera të legjislacionit tatimor. Çdo denoncim verifikohet dhe trajtohet me prioritet nga strukturat përgjegjëse, duke shërbyer si bazë për planifikimin dhe ushtrimin e kontrolleve në terren.
Kontrollet po zhvillohen në kuadër të Planit Operacional në sektorin e turizmit, bazuar në analizën e riskut dhe denoncimet e qytetarëve.
Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar edhe raste të pengimit të ushtrimit të detyrës së punonjësve të Administratës Tatimore, për të cilat janë ndërmarrë menjëherë veprimet ligjore në bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit.
Asnjë përpjekje për të penguar ushtrimin e detyrës nuk do ta lëkundë Administratën Tatimore në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e zbatimit të legjislacionit tatimor, mbrojtjen e interesit publik, forcimin e formalizimit të ekonomisë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Administrata Tatimore fton qytetarët dhe tatimpaguesit të vijojnë të përdorin aplikacionin “Denonco Evazionin” për të raportuar çdo rast të dyshuar të shkeljeve tatimore. Kontrollet në sektorin e turizmit do të vijojnë gjatë gjithë sezonit, si në zbatim të Planit Operacional, ashtu edhe në përgjigje të denoncimeve të qytetarëve, me profesionalizëm, paanshmëri dhe tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të legjislacionit tatimor.