Institucioni

Institucioni > Lajme >

Administrata Tatimore përmbush përpara afatit objektivin e Axhendës së Reformave (RGF) në luftën kundër mashtrimit tatimor

Drejtoria e Hetimit Tatimor, struktura e specializuar e Administratës Tatimore për hetimin e mashtrimit tatimor, ka përmbushur përpara afatit një nga objektivat e përcaktuara në kuadër të Axhendës së Reformave dhe Instrumentit për Reformë dhe Rritje (Reform and Growth Facility – RGF), duke tejkaluar objektivin për trajtimin e rasteve të mashtrimit tatimor.

Ky rezultat përbën një hap konkret në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Objektivi parashikonte hetimin dhe investigimin tatimor të 500 rasteve, kryesisht në sektorë me risk të lartë, si ndërtimi, turizmi dhe sektorë të tjerë me ekspozim të shtuar ndaj mashtrimit tatimor, me afat realizimi deri në qershor 2027.

Megjithatë, gjatë periudhës 1 janar 2024 – 30 qershor 2026, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka trajtuar 509 çështje, duke e tejkaluar objektivin rreth një vit përpara afatit të përcaktuar.

Nga këto:

  • 416 çështje janë përfunduar;
  • 93 çështje vijojnë të jenë në proces aktiv hetimi dhe verifikimi, në përputhje me procedurat ligjore.

Objektivi është pjesë e Axhendës së Reformave, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 621, datë 10.10.2024. Në kuadër të kësaj axhende, Administrata Tatimore është institucioni përgjegjës për zbatimin e 5 reformave në Fushën 1 – Mjedisi i Biznesit dhe Konkurrenca, të cilat synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e transparencës dhe modernizimin e administrimit tatimor, në përputhje me standardet dhe acquis-in e Bashkimit Evropian.

Përmbushja përpara afatit e këtij objektivi dëshmon efektivitetin e masave të Administratës Tatimore dhe, në veçanti, të Drejtorisë së Hetimit Tatimor në parandalimin, zbulimin dhe hetimin e mashtrimit tatimor, në funksion të forcimit të integritetit të sistemit tatimor dhe garantimit të konkurrencës së ndershme në treg.

Ky rezultat konfirmon njëkohësisht zbatimin me sukses të reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke dëshmuar progres konkret në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian.