Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton Institucionet Financiare Raportuese se është miratuar VKM nr. 113 dt. 27.2.2026 për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, e ndryshuar, e cila reflekton amendimet e Standardit të Raportimit të Përbashkët (CRS) të OECD-së.
Ndryshimet përfshijnë, ndër të tjera:
- përditësimin e përkufizimeve dhe zgjerimin e fushëveprimit për kategori të caktuara produktesh/llogarish (përfshirë produkte të specifikuara të parasë elektronike, para elektronike të Bankës Qendrore dhe elementë të lidhura me kriptoasetet, sipas përkufizimeve të VKM-së);
- përditësimin e rregullave të vigjilencës së duhur (due diligence), përfshirë rregulla shtesë për vetëdeklarimin e vlefshëm, kontrollin e rezidencës tatimore dhe përdorimin e procedurave PPP/NJKT (AML/KYC);
- zgjerimin e elementëve të raportimit sipas nenit 4 (p.sh. statusi i vetëdeklarimit të vlefshëm, roli/et e personave kontrollues, lloji i llogarisë, statusi “llogari paraekzistuese” / “llogari e re”, si dhe elementë për llogaritë e përbashkëta);
- kërkesa të detajuara për mbrojtjen e të dhënave personale dhe detyrimin e informimit ndaj “mbajtësve të llogarive”.
Në zbatim të nenit 14 të VKM-së:
- Duke filluar nga data 1 Janar 2027 Institucionet Financiare Raportuese i raportojnë administratës tatimore (dhe kjo e fundit administratave tatimore përkatëse) sipas skemës së rishikuar XML 3.0, paraqitur në Shtojcën IV bashkëlidhur kësaj VKM-je.
- Periudha e parë e raportimit sipas ndryshimeve që sjell ky vendim është viti kalendarik 2026, me afat dorëzimi deri më 30 maj 2027.
DPT fton Institucionet Financiare Raportuese të:
1. rishikojnë klasifikimin e produkteve/llogarive dhe procedurat e brendshme;
2. përditësojnë formularët e vetëdeklarimit dhe kontrollet për vlefshmërinë e tyre;
3. përditësojnë proceset PPP/NJKT (AML/KYC) dhe lidhjen e tyre me detyrimet CRS;
4. rishikojnë njoftimet e privatësisë dhe masat teknike/organizative të sigurisë së të dhënave;
5. planifikojnë përditësimet IT për skemën e rishikuar XML 3.0 dhe raportimin e periudhës 2026 (me afat 30 Maj 2027).
Skemën e rishikuar XML 3.0 mund ta gjeni në faqen web të DPT-së, në seksionin Legjislacioni / Shkëmbimi Automatik i Informacionit / Shkëmbimi Automatik i Informacionit të Llogarive Financiare – CRS.