Institucioni

Institucioni > Lajme >

Pyetje & Përgjigje mbi Ligjin e Faljes dhe Ligjin e Paqes Fiskale

Pyetje dhe Përgjigje mbi:

 

  • Ligjin nr. 86/2025 "Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë" dhe ;

 

  • Ligjin nr. 84/2025 "Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale"

 

 

Pyetje: Nëse tatimpaguesi ka fituar gjyqin në shkallë të parë dhe Administrata Tatimore ka apeluar, a mjafton, për efekt të faljes, dorëzimi i kërkesës për heqje dorë nga padia në apel brenda afatit ligjor, apo kërkohet domosdoshmërisht edhe vendimi i gjykatës për pushimin e çështjes brenda këtij viti?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 11, pika 2 të ligjit nr. 86/2025 dhe pikës XI/2 dhe XI/2.3 të Udhëzimit nr. 11/2026, kusht për përfshirjen në skemën e faljes është heqja dorë nga ankimi/ padia, në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit. Në këtë kuptim, kusht për përfshirjen në skemën e faljes është paraqitja e aktit të heqjes dorë nga ankimi/ padia, dhe jo domosdoshmërisht marrja e vendimit gjyqësor për pushimin e çështjes.

 

Pyetje: Nëse tatimpaguesi ka humbur gjyqin në shkallë të parë, ka apeluar dhe nuk ka ende vendim të formës së prerë, a mjafton dorëzimi i kërkesës për heqje dorë nga padia (brenda afatit), apo duhet të merret patjetër edhe vendimi i gjykatës për pushimin e çështjes brenda vitit?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 11, pika 1 të ligjit, dhe pikës XI/1 të Udhëzimit nr. 11/2026, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimpaguesit/ subjektet që kanë detyrime tatimore/ detyrime të pagueshme në doganë, për të cilët ka vendim gjyqësor të formës së prerë për këto detyrime me palë fituese administratën doganore/ tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës. Kjo pikë zbatohet nga secili institucion për detyrimet që janë në fushën e tij të përgjegjësisë.

 

Pyetje: Nëse një tatimpagues ka tepricë të tatimit mbi të ardhurat e korporatës në sistem, të krijuar nga pagesa e kësteve paraprake, a përdoret kjo tepricë fillimisht për të netuar detyrimet ekzistuese, përpara se të aplikohet falja e detyrimeve?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 11 të ligjit nr. 86/2025 dhe Kreut VII, pika 1 dhe 2, tepricat kreditore përdoren fillimisht për kompensimin e detyrimeve tatimore debitore dhe më pas aplikohen efektet e faljes. Ky parashikim lidhet edhe me nenin 79 “Radha e pagesës së kontributeve dhe të detyrimeve tatimore” të ligjit nr. 9920/2008, i ndryshuar.

Pyetje: Pse Administrata Tatimore vijon procedurat e mbledhjes me forcë për detyrime që janë subjekt i faljes? Konkretisht DRT Tiranë (Borxhi) ka bllokuar llogaritë bankare të subjektit me arsyetimin se ka 13.000 lekë detyrime (që në fakt janë gjoba dhe kamata për vitet 2016-2020) dhe refuzon ta çlirojë llogarinë bankare edhe pse i kemi informuar se këto detyrime janë objekt i ligjit për faljen?

Përgjigje: Referuar nenit 102, shkronja “ç” të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Administrata Tatimore ndërpret menjëherë zbatimin e masave shtrënguese në rastet kur detyrimi tatimor falet nëpërmjet një ligji të posaçëm. Megjithatë, efekti juridik i kësaj dispozite lidhet ngushtësisht me momentin kur detyrimi tatimor është identifikuar, verifikuar dhe trajtuar administrativisht si i falur, në përputhje me procedurat e parashikuara në ligjin e posaçëm përkatës, si dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Deri në përfundimin e procesit të verifikimit administrativ dhe pasqyrimin përkatës në sistemin informatik tatimor C@TS të detyrimeve që përfitojnë nga falja, detyrimi vijon të rezultojë aktiv në sistem, dhe, për rrjedhojë, masat shtrënguese të vendosura më parë mbeten në fuqi. Për rrjedhojë, Administrata Tatimore nuk mund të procedojë me heqjen e masës së bllokimit vetëm mbi bazën e pretendimit të tatimpaguesit për përfitim nga falja, pa përfunduar më parë procedurat administrative të verifikimit dhe pa u formalizuar fshirja e detyrimit në sistemin përkatës.

 

Pyetje: Për tatimpagues që gjatë vitit 2026 mund të ketë si tepricë TVSH-je, ashtu edhe detyrim për pagim TVSH-je në muaj të ndryshëm: cila periudhë merret reference për të vlerësuar nëse ka tepricë TVSH-je (muaji qershor/dhjetor 2026 apo i gjithë viti 2026)?

Përgjigje: Në zbatim të kreut VII të Udhëzimit nr. 11/2026, vlerësimi bëhet mbi gjendjen neto të tatimpaguesit në momentin e kompensimit, duke marrë në konsideratë situatën e përgjithshme financiare dhe jo vetëm një periudhë të caktuar.

 

Pyetje: Kur një detyrim tatimor është i shënuar si "nën apelim" dhe pagesa gjeneron shumë "pezull" pa e mbyllur detyrimin në sistem, si duhet të veprojë tatimpaguesi që pagesa të njihet për efekt të faljes?

Përgjigje: Në zbatim të pikës XI/2 të Udhëzimit nr. 11/2026, kërkohet heqja dorë nga ankimi dhe më pas pagesa konsiderohet për efekt të shuarjes së detyrimit.

 

Pyetje: A duhet që kërkesa për falje detyrimesh dhe gjobash, së bashku me dokumentacionin shoqërues (pagesa 50%, kërkesat për heqje dorë nga paditë etj.), të dorëzohen me shkresë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale ku tatimpaguesi është i regjistruar, apo mund/ do të dorëzohen vetëm online përmes "Çështjet e mia" në e-tax?

Përgjigje: Në zbatim të Udhëzimit nr. 11/2026 dhe mënyrave të komunikimit të përcaktuara nga Administrata Tatimore, komunikimi kryhet përmes sistemit elektronik dhe procedurave zyrtare, sipas rastit të aplikueshëm.

 

Pyetje: A do të kthehet plotësisht apo pjesërisht detyrimi i paguar si kusht për shqyrtimin e apelimit/çështjes gjyqësore, në rast se tatimpaguesi tërhiqet nga çështja gjyqësore për periudhat 2015-2019? Pra a do të zbatoheshin të njëjtat kushte sikur të aplikonte drejtpërdrejt ligjin e fshirjes/shuarjes nëse nuk do ishte në një proces ankimi?

Përgjigje: Në zbatim të ligjit nr. 86/2025, nuk parashikohet kthim detyrimesh për këtë qëllim.

 

Pyetje: Kur do të publikohet lista e tatimpaguesve që janë në proces gjyqësor që mund të aplikojnë për fshirjen e detyrimeve tatimore (XI, pika 2.2 e Udhëzimit)?

Përgjigje: Në zbatim të Udhëzimit nr. 11/2026, listat e detajuara dhe të përditësuara do të shërbejnë për njoftim zyrtar të tatimpaguesve/ subjekteve që përjashtohen nga zbatimi i ligjit. Njoftimi zyrtar i tatimpaguesve/ subjekteve në zbatim të ligjit nr. 86, datë 12.12.2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, bëhet në llogarinë e tyre në e-Filing. Tatimpaguesit/ subjektet, të cilët sipas një vendimi të Administratës Tatimore nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja sipas këtij ligji, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën administrative, sipas legjislacionit të fushës në fuqi.

 

Pyetje: Për detyrimet që do të fshihen vetë nga ana e Administratës Tatimore a do të merret ndonjë njoftim me shkrim apo në formë elektronike?

Përgjigje: Në zbatim të pikës XII/3.1 të Udhëzimit nr. 11/2026, njoftimi bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit eFiling.

 

Pyetje: A po diskutohet ndonjë iniciativë në nivelin e strukturave të autoriteteve tatimore/ Ministrisë së Financave për t'u tërhequr nga çështjet që janë në gjykim nga tatimpaguesit për të cilat vendimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta kanë qenë në favor të tatimpaguesve?

Përgjigje: Kjo çështje nuk është parashikuar në ligjin nr. 86/2025 dhe nuk trajtohet në kuadër të këtij ligji. Theksojmë se, në zbatim të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, dhe në përmbushje të detyrave të saj funksionale, Administrata Tatimore nuk ka kompetencë në hartimin dhe zhvillimin e politikave tatimore, por vepron si institucion ekzekutues dhe zbatues i legjislacionit në fuqi, duke u udhëhequr nga parimi i zbatimit të barabartë dhe efektiv të ligjit për të gjithë tatimpaguesit. Në rast se në të ardhmen do të ketë ndryshime në kuadrin ligjor përkatës, Administrata Tatimore mbetet e angazhuar për zbatimin rigoroz të legjislacionit tatimor në fuqi.

 

Pyetje: Një tatimpagues ka bërë kërkesë për marrëveshjen paqe fiskale, e cila i është miratuar dhe në marrëveshje ka kërkuar të rideklarojë zërat e PF për vitin 2023, 2024 dhe 2025. Pyetja është: a ka të drejtë tatimpaguesi të korrigjojë të njëjtin zë të pasqyrave financiare në të 3 vitet 2023, 2024 dhe 2025 duke aplikuar çdo vit kufirin prej 30 % mbi vlerën e mbetur pas korrigjimit të vitit paraardhës?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 84/2025 dhe Udhëzimit nr. 10/2026, rideklarimi lejohet sipas kushteve ligjore për vitet përkatëse.

 

Pyetje: Në lidhje me rideklarimin e zërave të veçantë të pasqyrave financiare për vitet 2023-2025 kur thuhet që tatohen 5% për çdo zë të përfshirë në këtë rideklarim. Pyetja është nëse ne bëjmë shtesë të aseteve në masën max 30% të vlerës ekzistuese të aseteve tatohemi 5% për diferencën e rritur të aseteve dhe 5% për fitimin e mbartur? Në këtë rast do kishim një tatim për të njëjtin transaksion 10%? Në shembullin e dhënë në udhëzim kuptojmë që tatimi për një ndryshim të pasqyrave financiare siç është rasti i shtesës së aseteve që sjell në të njëjtën kohë rritje të fitimeve të mbartura tatohen 5% për rritjen e aseteve dhe 5% për fitimin e mbartur.

Përgjigje: Në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 84/2025, tatimi aplikohet për çdo element sipas natyrës së tij dhe jo si tatim i dyfishtë për të njëjtin transaksion.

 

Pyetje: Nëse subjekti ka deklaruar tatim fitimin 2024, e dorëzon përsëri me rritje deklaratën e tatim fitimit 2024 dhe paguan principalin, a përfiton faljen e gjobës dhe kamatëvonesës?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 86/2025, gjobat dhe kamatëvonesat falen me kusht pagimin e principalit.

 

Pyetje: Nëse subjekti nuk e ka deklaruar tatimin mbi fitimin 2024 (Administrata Tatimore ka bërë një vlerësim tatimor për këtë vit) dhe tatimpaguesi e dorëzon tani deklaratën tatimore me shtesë tatimi krahasuar me vlerësimin tatimor të administratës, a përfiton faljen e gjobës dhe kamatëvonesës?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 86/2025, tatimpaguesit/subjektet përfitojnë nëse përmbushen kushtet e ligjit.

 

Pyetje: A pranohet lidhja e marrëveshjes së paqes nëse tatimpaguesi nuk ka çështje në proces apelimi administrativ por ka çështje në proces apelimi gjyqësor?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 84/2025, një nga kushtet është mungesa e proceseve të ankimit administrativ. Kjo vlen edhe për rastet në proces ankimimi gjyqësor.

 

Pyetje: Ligji flet për rivlerësimin e pasqyrave të tri viteve të fundit. Nëse aplikimi për marrëveshje paqe bëhet në vitin 2027 (që të mbulojë vitin 2027), atëherë tri vitet e fundit sipas ligjit do të jenë vitet 2024, 2025 dhe 2026. Pse DPT mendon që vetëm vitet 2023, 2024 dhe 2025 mund të rivlerësohen? Nuk gjejmë ndonjë dispozitë në ligj që justifikon këtë qëndrim? Lutemi të referoni bazën ligjore.

Përgjigje: Në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 84/2025, e drejta për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, të detyrimeve apo të kapitaleve të veta të pasqyrave vjetore të shoqërisë shtrihet deri në tre vitet e mëparshme tatimore përkatëse.

 

Pyetje: Vërtetimet nga prokuroria dhe dëshmitë e penalitetit për administratorët apo pronarët përfitues të tatimpaguesit kur këta persona janë të huaj, a duhen legalizuar me apostille? A keni përllogaritur kohën e duhur për marrjen e këtyre dokumentave jashtë Shqipërisë dhe procesin e apostille? A duhen përkthyer dhe noterizuar këto dokumenta?

Përgjigje: Kjo trajtohet sipas legjislacionit në fuqi për dokumentacionin zyrtar dhe kërkesave të përgjithshme për përdorimin e dokumenteve të huaja.

 

Pyetje: Sipas udhëzimit për paqen fiskale, nëse tatimpaguesi ka detyrime tatimore të papaguara, atëherë refuzohet marrëveshja. A quhen detyrime të papaguara gjobat dhe kamatat që lidhen me çështje gjyqësore që janë në proces? Këto gjoba dhe kamata nuk janë bërë të pagueshme ende pasi nuk ka vendim gjyqësor të formës së prerë.

Përgjigje: Në zbatim të nenit 5 të ligjit nr. 86/2025 dhe pikave përkatëse të udhëzimit, fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e Administratës Tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj. Për efektet e këtij ligji “Detyrime tatimore të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit” janë detyrime të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi apo të vlerësuara nga Administrata Tatimore ose të gjeneruara nga sistemi, të cilat janë kontabilizuar deri në datën 31.12.2024.

 

Pyetje: Kemi një rast me detyrime tatimore që lidhen me periudha përpara vitit 2014. Tatimpaguesi ka vendosur garanci bankare dhe aktualisht është në proces gjyqësor, por në momentin kur u depozitua apelimi administrativ, ngaqë sistemi e-filing ishte i ri, nuk u bë check që subjekti është në apelim. Rrjedhimisht, në sistem detyrimet e viteve 2012-2013 janë detyrime të hapura dhe çdo pagesë për detyrime korente shkon për mbylljen e detyrimeve që në fakt janë të mbuluara me garanci bankare. Ndërkohë, subjekti rezulton se nuk ka paguar detyrimet korente. A do të ketë një proces shqyrtimi të këtyre rasteve nga DPT në mënyrë që falja të bëhet për ato detyrime që i takon, pra 2012-2013 (sigurisht me kusht që tatimpaguesi të tërhiqet nga gjykimi)?

Përgjigje: Në zbatim të ligjit nr. 86, datë 12.12.2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, detyrimet e periudhave para vitit 2014 të mbuluara me garanci bankare, të cilat janë ende në proces gjyqësor, do të trajtohen si detyrime në në proces gjyqësor për qëllime të këtij ligji.

 

Pyetje: Tatimpaguesi ka kundërshtuar në gjykatë njoftim-vlerësimin për detyrime tatimore të vitit 2013 për detyrime të cilat kanë të bëjnë me periudha tatimore për vitet 2010 dhe vitet 2011. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë. Pas ankimit, Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur ndryshimin e vendimit dhe pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë, duke shfuqizuar një pjesë të detyrimeve të vendosura sipas njoftim-vlerësimit tatimor. Ky vendim u evadua nga tatimet dhe një pjesë e detyrimeve tatimore u anuluan (sipas vendimit të gjykatës). Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim çështjen në vitin 2026 dhe ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në apel. Nga Administrata Tatimore nuk janë rivendosur ende në sistem detyrimet tatimore të njoftim-vlerësimit. Pra, detyrimet tatimore kanë mbetur të paregjistruara dhe të pallogaritura në llogarinë e tatimpaguesit, dhe gjithashtu nuk janë regjistruar as në kontabilitetin e drejtorive tatimore. Për rrjedhojë kemi detyrime tatimore të periudhave para datës 31 dhjetor 2014, por që nuk janë regjistruar në kontabilitet të drejtorive tatimore deri në datën 31.12.2024. Për këto detyrime nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë pasi pritet rishqyrtimi në apel. Si do të veprohet me fshirjen e këtyre detyrimeve? Në rast të heqjes dorë nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, a përfiton tatimpaguesi nga falja e detyrimeve tatimore sipas ligjit nr. 86/2025?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 5 të ligjit nr. 86/2025 dhe pikave përkatëse të udhëzimit, fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e Administratës Tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj. Për efektet e këtij ligji “Detyrime tatimore të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit” janë detyrime të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi apo të vlerësuara nga Administrata Tatimore ose të gjeneruara nga sistemi, të cilat janë kontabilizuar deri në datën 31.12.2024.

 

Pyetje: Tatimpaguesi ka kërkuar shfuqizimin e njoftim-vlerësimit për detyrime tatimore të lëshuara në vitin 2014. Gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit vendosën pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë. Ndërkohë Gjykata e Lartë në vitin 2022 prishi vendimin e gjykatës së apelit dhe vendosi që çështja të kthehet për rigjykim në apel. Administrata Tatimore nuk reflektoi në sistemin e e-filing detyrimet tatimore që ishin hequr me vendimin e gjykatës së apelit (i cili më pas u prish). Pra, nuk ka ende një vendim të formës së prerë për detyrimet tatimore (pasi vendimet e gjykatave më të ulëta janë prishur nga Gjykata e Lartë dhe çështja është kthyer për rigjykim). Por, ndërkohë detyrimet tatimore nuk janë të regjistruara në kontabilitetin e drejtorive tatimore para datës 31.12.2024, pasi Administrata Tatimore nuk ka bërë evadimin e vendimit të Gjykatës së Lartë (që të rivendoste në sistem detyrimet tatimore). Në rast të heqjes dorë nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, a përfitojmë nga falja e detyrimeve tatimore sipas ligjit?

Përgjigje: Në zbatim të nenit 4 dhe nenit 11 të ligjit nr. 86/2025 si dhe pikës XI të Udhëzimit nr. 11/2026, përfitimi varet nga heqja dorë nga gjykimi dhe plotësimi i kushteve ligjore si dhe nga regjistrimi i detyrimeve në sistem.