Institucioni

Institucioni > Lajme >

Për tatimpaguesit e përjashtuar nga përfitimet e Ligjit të Faljes, por që pretendojnë se plotësojnë kushtet për të përfituar

Administrata Tatimore njofton se, në zbatim të Ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”, janë identifikuar dhe njoftuar tatimpaguesit që nuk përfitojnë nga masat lehtësuese të parashikuara në këtë ligj.

Ky njoftim synon të sqarojë kategoritë e tatimpaguesve që përjashtohen nga përfitimet e ligjit, si dhe procedurën që duhet të ndjekin ata tatimpagues që vlerësojnë se janë përjashtuar gabimisht.

Konkretisht, neni 4 i ligjit parashikon se nga fshirja/shuarja e detyrimeve të parashikuara sipas këtij ligji nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, të cilët/të cilat janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës, përpara ose gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të këtij ligji.

Gjithashtu, pika 1 e nenit 11 të ligjit parashikon se nga fshirja/shuarja e detyrimeve të parashikuara sipas këtij ligji nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, për të cilët ka vendim gjyqësor të formës së prerë për këto detyrime me palë fituese administratën doganore/tatimore, në kuptim të legjislacionit të fushës.

Bazuar në dispozitat e sipërcituara dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit, Administrata Tatimore ka ndërmarrë masat e nevojshme për identifikimin dhe njoftimin e tatimpaguesve që nuk përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në këtë ligj, duke u bazuar në të dhënat konkrete të administruara.

Tatimpaguesit që janë njoftuar për këtë fakt, por vlerësojnë se nuk ndodhen në kushtet e parashikuara nga dispozitat e mësipërme dhe, për rrjedhojë, nuk janë dakord me njoftimin e komunikuar nga Administrata Tatimore, duhet të paraqesin një kërkesë/ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me dokumentacionin provues si më poshtë:

  • Kur rasti i përjashtimit lidhet me nenin 4 të ligjit:

    • vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
    • vërtetimin e prokurorisë;
    • vërtetimin e gjykatës;
    • çdo dokument tjetër provues të lëshuar nga autoritetet kompetente.
  • Kur përjashtimi ka ardhur për shkak të nenit 11 të ligjit:

    • çdo dokument provues, përfshirë vendim gjyqësor apo akt tjetër zyrtar që provon se për detyrimet e papaguara nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë dhënë në favor të administratës tatimore.

Në të njëjtën mënyrë do të depozitohen edhe kërkesat për heqje dorë nga e drejta e padisë/ankimit, sipas parashikimeve të ligjit, të depozituara paraprakisht nga tatimpaguesi pranë gjykatës kompetente.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe kryerjes së verifikimeve përkatëse, Administrata Tatimore do të vlerësojë çdo pretendim të paraqitur dhe do t’i kthejë përgjigje tatimpaguesit. Në rast se konstatohet se tatimpaguesi plotëson kushtet e përcaktuara në ligj, do të merren masat e nevojshme për sigurimin e përfitimit të lehtësive përkatëse, duke garantuar zbatimin e drejtë, transparent dhe të njëtrajtshëm të ligjit për të gjithë tatimpaguesit.