Të nderuar përfaqësues ligjorë të Organizatave Jofitimprurëse!
Në zbatim të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" i ndryshuar, VKM-së nr. 922 datë 29.12.2014 "Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike", si dhe kërkesave të ligjit Nr. 9228, datë 29.04.2004" Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare" i ndryshuar", Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sjell në vëmëndje të të gjithë Organizatave Jofitimprurëse, si më poshtë:
Çdo Organizatë Jofitimprurëse, (shoqatë, fondacion, etj) që ushtron veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, etj, është e detyruar të dorëzojë brenda datës 31 Mars të vitit 2017, pasqyrat financiare të vitit ushtrimor 2016.
Ndërsa Organizatat Jofitimprurëse që kanë përgjegjësi tatimore të tatimit mbi fitimin, do të dërgojnë formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me udhëzimin e Ministrisë së Financave nr.5 datë 30.1.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, si dhe bilancin vjetor të veprimtarisë për vitin ushtrimor 2016.
Sqarojmë se dorëzimin e pasqyrave financiare brenda këtij afati e kanë detyrim ligjor bazuar në nenin 18, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat" i ndryshuar, jo vetëm organizatat jofitimprurëse që kanë përgjegjësi tatimore të Tatimit mbi Fitimin, por edhe çdo organizatë joftimprurëse e cila është e përjashtuar nga tatimi mbi fitimin.
Pasqyrat financiare të dorëzuara në version pdf (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga përfaqësuesi ligjor i organizatës.
Ju faleminderit!