Institucioni

Institucioni > Lajme >

Aplikimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit e regjistruar si person fizik ose entitet se aplikimi për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 mund të kryhet online në sistemin “e-filing”, nga data 15.05.2026 deri më 05.06.2026.
Të drejtën për të aplikuar e ka çdo tatimpagues që është subjekt i detyrimit të Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi dhe që plotëson njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

  1. ushtron veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë;
  2. gjatë vitit tatimor paraardhës ka realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë;
  3. nuk ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara;
  4. nuk është në proces ankimi administrativ;
  5. nuk është subjekt i procedimeve penale për vepra në fushën tatimore;
  6. nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim të produkteve të veprës penale ose fshehje të ardhurash;
  7. nuk është subjekt hetimi nga Administrata Tatimore;
  8. nuk realizon projekte koncesionare.

Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e mësipërme paraqesin kërkesën online në sistemin “e-filing”, në rubrikën “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke vendosur titullin “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Formularin e aplikimit të plotësuar (shtojca nr. 1);
  2. Vërtetim për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që nuk janë në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore (nga Prokuroria);
  3. Dëshmi penaliteti për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që vërteton se nuk ka vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor ose pastrim parash;
  4. Vërtetim që nuk është në proces ankimi administrativ (nga Drejtoria e Apelimit Tatimor);
  5. Vetëdeklarim që nuk realizon projekte koncesionare;
  6. Vetëdeklarim se nuk ka dijeni për procedime penale në fushën tatimore.

Pas verifikimit të kushteve ligjore, sipas Ligjit nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe udhëzimit përkatës në zbatim të tij, vendimmarrja mbi aplikimin do t’i komunikohet tatimpaguesit në mënyrë elektronike në llogarinë e tij në sistemin “e-filing”, brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se data 10.06.2026.
Brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimmarrjes, por jo më vonë se data 15.06.2026, dokumenti i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i tatimpaguesit duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, zyrtarisht ose përmes sistemit “e-filing”.
Tatimpaguesit që, në formularin e aplikimit, kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për një ose disa vite tatimore, pas lidhjes së marrëveshjes dhe kryerjes së rideklarimeve/korrigjimeve përkatëse, duhet që brenda datës 30.06.2026:

  • Të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata tatimore;
  • Të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit formularin e aplikimit për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore, sipas shtojcës nr. 2 të udhëzimit përkatës;
  • Të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara;
  • Të paraqesin çdo sqarim të nevojshëm mbi ndryshimet e reflektuara në zërat e pasqyrave financiare.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore dhe janë të interesuar të përfitojnë nga kjo marrëveshje, të aplikojnë brenda afatit 05.06.2026, pasi aplikimet e paraqitura pas këtij afati nuk do të pranohen.

Dokumenta ndihmëse