Në prag të procesit të aplikimeve për kompensimin e fermerëve, i cili nis më 1 korrik, Administrata Tatimore ka marre disa ankesa nga fermeret ne lidhje me leshimin e autofaturave nga grumbulluesit.
Në këtë kuadër, Administrata Tatimore do të ndërmarrë verifikime të thelluara në të gjithë zinxhirin e këtij sektori. Kontrollet do të përqendrohen tek subjektet grumbulluese dhe përpunuese, për të kontrolluar nëse aktiviteti i tyre zhvillohet në përputhje me legjislacionin tatimor, nëse lëshohen faturat përkatëse tatimore dhe për të identifikuar raste të mundshme të përdorimit të NIPT-eve fiktive. Paralelisht, do të verifikohen edhe fermerët e regjistruar me NIPT, për të evidentuar nëse ushtrojnë realisht aktivitet bujqësor apo nëse bëhet fjalë për regjistrime fiktive.
Administrata Tatimore bën me dije se do të ndërmarrë masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton detyrimin për lëshimin e auto-faturave tatimore për blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Njëkohësisht, rikujtohen të gjithë fermerët se përfitojnë kompensim për furnizimet e mallrave apo shërbimeve të kryera ndaj personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH, të cilët ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin dhe që nuk janë përfitues të skemës së kompensimit.
Norma e kompensimit është 10% e vlerës totale të produkteve të furnizuara nga prodhuesi bujqësor, të dokumentuara me faturë tatimore, përgjatë një periudhe 6-mujore. Për këtë arsye, u bëhet thirrje të gjithë fermerëve që të kërkojnë lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të kryer ndaj subjekteve që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, në mënyrë që të përfitojnë të drejtën që u takon.
Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në forcimin e formalizimit të ekonomisë, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.