Administrata Tatimore rikujton të gjithë tatimpaguesit, që kanë detyrim ligjor dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2025, se afati i fundit për raportimin e tyre është data 31 mars 2026. Dorëzimi i pasqyrave financiare bëhet vetëm nëpërmjet sistemit elektronik e-Filing.
Ky detyrim vjen në zbatim të Ligjit nr. Nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 26, datë 8.9.2023, "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, si dhe VKM-së Nr. 922 datë 29.12.2014 "Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike".
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, detyrimin për raportimin/dorëzimin e pasqyrave financiare e kanë subjektet, që kanë përgjegjësi tatimore për “Tatimin mbi fitimin korporativ” ose “Tatimin mbi të ardhurat personale biznesore”, në rastet kur qarkullimi vjetor i tyre është mbi 5 milionë lekë.
Për organizatat jofitimprurëse, detyrimi për dorëzimin e pasqyrave financiare përcaktohet vetëm mbi bazën e qarkullimit (mbi 5 milionë lekë), pa u kushtëzuar nga përgjegjësia për Tatimin mbi Fitimin Korporativ.
Pasqyrat financiare duhet të hartohen në përputhje me ligjin nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”.
Në përputhje me ligjin nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 60, së bashku me pasqyrat financiare duhet të dorëzohen elektronikisht edhe dokumentet shtesë si më poshtë:
Pasqyrat financiare duhet të dorëzohen elektronikisht në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.
Elektronikisht, vetëm në version PDF (të skanuar) duhet të dorëzohet edhe raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, sipas përcaktimeve ligjore.
Gjendja e inventarit për çdo kategori më datë 31.12.2025 deklarohet në version Excel, me kusht që dokumenti i deklaruar të jetë në format të pandryshueshëm.
Subjektet që kanë detyrimin për dorëzimin e pasqyrave financiare duhet gjithashtu të deklarojnë të dhënat përkatëse në menunë “Kontabilitet” në llogarinë e tyre elektronike në sistemin e-Filing. Në këtë seksion përzgjidhet periudha tatimore përkatëse dhe plotësohen të gjitha fushat, që shfaqen në ndërfaqen e sistemit.
Sqarojmë se, pasqyrat financiare duhet të dorëzohen në version PDF (të skanuara) dhe duhet të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë (administratori) dhe nga personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare.
Saktësia dhe plotësia e deklaratave tatimore, pasqyrave financiare, si dhe e dokumenteve të tjera që dorëzohen së bashku me to, janë përgjegjësi e personit fizik apo e përfaqësuesit ligjor (administratorit) në rastin e personave juridikë. Duke qenë se dorëzimi i pasqyrave financiare kryhet vetëm nëpërmjet llogarisë elektronike të tatimpaguesit, ato konsiderohen të dorëzuara nga vetë ai (tatimpaguesi), i cili mban përgjegjësi edhe në rast të mungesës së elementeve të formës së dokumenteve, si p.sh.: mungesa e nënshkrimit apo vulës, sipas kërkesave ligjore, etj.
Theksojmë se respektimi i kërkesave që burojnë nga legjislacioni për kontabilitetin dhe aktet e tjera të posaçme, apo detyrimi për dorëzimin e tyre pranë institucioneve të tjera, si Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), është përgjegjësi e personit fizik apo e përfaqësuesit ligjor (administratorit) në rastin e personit juridik dhe kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin përkatës në fuqi.
Kujdes!
Për çdo pyetje, paqartësi apo informacion shtesë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Shërbimin për Tatimpaguesit pranë çdo Drejtorie Rajonale Tatimore, si dhe Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002