Institucioni

Institucioni > Lajme >

Zbatimi i Planit Sektorial të Ndërtimit – Administrata Tatimore

Administrata Tatimore, në zbatim të Vendimit të Komitetit të Riskut nr. 39, datë 12.01.2026, për “Miratimin e Planit Sektorial të Ndërtimit”, ka ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e tij, i cili synon forcimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, uljen e informalitetit dhe rritjen e transparencës në sektorin e ndërtimit.

Administrata Tatimore disponon dhe analizon një gamë të gjerë të dhënash të siguruara nga burime të ndryshme, përfshirë:

  • të dhëna të marra nga palë të treta publike dhe private;
  • të dhëna të përftuara nga sistemi CPCM (sistemi elektronik i faturimit);
  • vetëdeklarimet e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e ndërtimit ose në zinxhirin e tij të furnizimit.

Këto burime informacioni përdoren për të kryer analiza të thelluara të riskut, për të identifikuar mospërputhje, devijime nga treguesit referencë dhe sjellje që mund të sinjalizojnë shmangie tatimore.

Në këtë kuadër, Administrata Tatimore fton dhe nxit të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori që të përmbushin me korrektësi dhe në kohë detyrimet e tyre ligjore, veçanërisht në lidhje me:

  • Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar, në përputhje me legjislacionin tatimor dhe atë të sigurimeve shoqërore;
  • Deklarimin real të pagave, bazuar në profesionin e ushtruar, kualifikimin, përvojën dhe kushtet reale të tregut të punës;
  • Lëshimin e faturave të fiskalizuara me NIVF/NSLF për çdo shitje ose transaksion të kryer, përfshirë edhe parapagimet;
  • Blerjen e çdo malli ose shërbimi vetëm me faturë të rregullt tatimore, duke garantuar gjurmueshmërinë e transaksioneve;
  • Deklarimin e saktë, të plotë dhe të përditësuar të të dhënave në Regjistrin e Tatimpaguesit;
  • Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve ku ushtrohet aktiviteti ekonomik;
  • Përdorimin vetëm të softuerëve të certifikuar për fiskalizim, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Mosrespektimi i këtyre detyrimeve, si dhe çdo sjellje tjetër që synon shmangien tatimore, e konstatuar përmes analizave të riskut, e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk. Në këto raste, Administrata Tatimore ndërmerr masa verifikuese dhe monitoruese, në përputhje me kompetencat ligjore, të cilat mund të përfshijnë kontrolle , monitorime , hetime tatimore  dhe masa administrative sipas parashikimeve ligjore.

Qëllimi i këtyre masave është garantimi i një tregu të ndershëm, rritja e përmbushjes vullnetare,  sigurimi i një konkurrence të drejtë dhe për të vendosur drejtësinë sociale ndaj punonjësve të subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë dhe informacion për tatimpaguesit, duke synuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe respektim të ndërsjellë të detyrimeve ligjore.

Dokumenta ndihmëse