Institucioni

Institucioni > Lajme >

Nga 1 janari 2026, rritet paga minimale dhe maksimale

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit se paga minimale mujore në shkallë vendi, duke filluar nga data 1 janar 2026, është 50,000 lekë. 
 
Referuar ndryshimeve ligjore, paga maksimale për efekt të llogaritjes dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore rritet në të njëjtën masë dhe në të njëjtën kohë me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. 
Pra, paga minimale është rritur me 10,000 lekë, duke kaluar nga 40,000 lekë në 50,000 lekë në muaj. Si rrjedhojë edhe paga maksimale rritet me të njëjtën vlerë prej 10,000 lekë, duke shkuar në 186,416 lekë në muaj nga 176,416 lekë, që ishte deri më 31.12.2025.
 
Për efekt të llogaritjes dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga bruto mujore do të jetë:
• Jo mё pak se sa paga minimale, e barabartё me 50,000 lekё dhe deri në 186,416 lekё, pёr personat e punёsuar.
• Jo mё pak se sa paga minimale, e barabartё me 50,000 lekё dhe sipas pёrcaktimit tё vetё personit, 186,416 lekë pёr personat e vetёpunёsuar.
• E barabartё me pagёn minimale prej 50,000 lekё, pёr punonjёsit e papaguar tё familjes, me tё cilёt i vetёpunёsuari punon dhe bashkёjeton ligjёrisht.
 
Gjithashtu, paga minimale prej 50,000 lekë do të shërbejë edhe për llogaritjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, si më poshtë:
• Jo më pak se sa paga minimale, prej 50,000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
• Sa dyfishi i pagës minimale, prej 100,000 lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht.
 
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të njihen me ndryshimet e sipërpërmendura dhe të marrin masat e nevojshme për zbatimin korrekt të tyre, duke reflektuar pagën minimale dhe maksimale në deklarimet përkatëse të listëpagesave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Deklarimi i saktë dhe në kohë i pagave dhe kontributeve përkatëse është një detyrim ligjor dhe njëkohësisht garanton mbrojtjen sociale, përfitimet shëndetësore dhe të drejtat pensionale të punonjësve dhe të vetëpunësuarve.