1. Numri i kategorisë së punonjësit për kontributet (rubrika 12 në listëpagesë) nuk është parashikuar për rastet më poshtë, pavarësisht se deklarimi i tyre është i mbështetur ligjërisht, si psh:
Punonjësit që janë pa ditë pune, ku perfshihen:
(a) të pezulluar për një afat kohor,
(b) me leje të Institucionit pa të drejtë page, dhe
(c) me pushim ligjor, por pa ditë pune.
Përballë këtij fakti nuk më procesohet listëpagesa, si duhet të veproj pasi nuk i heq dot punonjësit nga listëpagesa?
Përgjigje: Këto kategori punësimi aktualisht nuk janë të parashikuara në aktet nënligjore përkatëse. Në vijim Administrata Tatimore do të kërkojë dhe propozojë ndryshimet përkatëse në aktet nënligjore respektive.
2. Në kodet ku përshkruhet “regjistrimi si të punësuar ose të vetëpunësuar" për herë të parë, ose rifillimit të aktivitetit, kërkohet të vendoset paga minimale e plotë dhe jo sipas ditëve të aktivitetit. Ky është ndonjë gabim apo është ndonjë detyrim ligjor për të cilën duhet të na sqaroni?
Përgjigje: Kjo është e mundur për zbatimin në praktikë. Aktualisht lejohet që të vendoset vlera përkatëse për ditët e punës të muajit referuar formularit e sig 027 “Të punësuarit për herë të parë apo rishtazi dhe të larguarit nga puna”.
3. Nëse kam paguar tatim page gjatë vitit 2025 më shumë se sa me takon, si duhet të veproj për t’mu rimburësuar shuma në llogarinë time bankare?
Përgjigje: Individi që ka të ardhura personale vetëm nga punësimi dhe është deklarues për deklaratën DIVA, nuk ka tatim për të paguar në rast se është i punësuar vetëm në 1 punëdhënës pasi ato janë të deklaruara dhe të paguara nga punëdhënesi.
Nëse do të rezultojnë pagesa më shumë, atëhere kjo shumë do t’ju rimburësohet sipas parashikimeve të procedurave ligjore.
4. Jam një i punësuar në dy subjekte me pagë mujore 30 mijë lekë në secilin subjekt. A mund të më sqaroni cilat janë detyrimet e mia tatimore për tatimin mbi pagë?
Përgjigje: Në këtë rast individi duhet të plotësojë DIVA 2024 dhe duhet të paguajë tatim me këtë deklaratë. Në rast se ka këto të ardhura mujore nga paga gjatë gjithë vitit, detyrimi që duhet të paguani si punëmarrës është 39,000 lekë (për vitin).
Individi duhet të rregjistrohet në DIVA pasi është i punësuar në më shumë se një punëdhënës dhe rubrika 3 (të ardhurat bruto nga pagat dhe shpërblimet), rubrika 4 (tatimi i llogaritur) dhe rubrika 22 (tatimi i paguar) janë të paraplotësuara me të dhëna të marra nga listëpagesat.
5. Nuk ka një kategori për të deklaruar vullnetarët. Ndërkohë, ligji nr. 45/2016, për vullnetarizmin është në fuqi dhe parashikon angazhimin e vullnetarëve jo më shumë se 25 orë në javë, por pa kufizim në ditë pune. Pra një OJF që ka deklaruar me e-sig 027 një vullnetar dhe e angazhon 22 ditë në muaj, si duhet ta deklarojë?
Përgjigje: Kategoria e individëve që ofrojnë punë në mënyrë vullnetare (pa pagese) nuk është e parashikuar në dispozitat nënligjore. Në vijim do të bëhet propozim në Ministri të Financave, për ndryshim në VKM.77, datë 28.01.2015 “Për kontributet e detyrueshme mbi përfitimet nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore dhe sistemi i Kujdesit Shëndetësor”, i ndryshuar për një parashikim të kësaj kategorie.
6. Rastet kur punonjësi për arsye të ndryshme të justifikuara, ka punuar më pak se 22 ditë pasi ka disa ditë mungesë dhe merr me pak se 40.000 lekë page bruto pasi është i punësuar me pagë minimale. A duhet të paguaj kontribute mbi pagën minimale apo?
Përgjigje: Vetëm në rastet e justifikuara me dokumentacionin përkates ligjor (p.sh në rastet e paaftësisë në punë) paga referuese do të jetë për ditët e punuara në propocion me pagën minimale. Paga minimale për efekt të llogaritjes së Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore të punonjesit është 40,000 lekë/muaj.