Institucioni

Institucioni > Lajme >

Pyetje-përgjigje për Tatimin në Burim

1. Në rast se për të njëjtin lloj Tatimi në Burim është paguar ndaj më shumë se një individi, personi fizik apo entiteti, nëpërmjet funksionalitetit “SHTO”/“HIQ”, subjekti mund të deklarojë pagesat e kryera ndaj të gjithë përfituesve?

Përgjigje: Në deklaratën e Tatimit në Burim do të vendosen të gjithë përfituesit e të ardhurës qofshin këta persona fizikë (përfshi individin) apo entitet.   

2. Ka subjekte që kanë pagesa të shumta ndaj individëve, p.sh., (TV Kombëtar X raporton pagesat për pjesëmarrje në puntata të ndryshme televizive rreth 2000-2500 individë në muaj për të cilët duhet të mbahet Tatimi në Burim. Evidentimi me nr. ID dhe datë pagese për secilin përfitues është voluminoz që të bëhet në këtë rast. A mund të na krijohet mundësia që këtë listë të plotësuar sipas të dhënave që kërkohen ta ngarkojmë në një “file” të miratuar nga ju?

Përgjigje: Aktualisht në Deklaratën e Tatimit në Burim do të jepen në mënyrë analitike të dhënat për secilin përfitues të të ardhurës, shuma e të ardhurës së përfituar si dhe tatimi respektiv. Administrata Tatimore do të vlerësojë çdo kërkesë të tatimpaguesve si mundësi në vijim, përfshi edhe zgjidhjet e nevojshme teknike në funksion të lehtësimit të deklarimit të të dhënave nga tatimpaguesi.

3. Tatimi i mbajtur në Burim për anëtarët e Këshillit Bashkiak, mbahet në total apo për secilin prej anëtarëve?

Përgjigje: Në Deklaratën e Tatimit në Burim, duhet të jepen të dhënat analitike për secilin anëtar të Këshillit Bashkiak, për të ardhurën përkatese të përfituar dhe tatimin respektiv që i takon çdo anëtari.

4. Si do të trajtohet huapërdorja nga familjarët kur personat që janë në banesë nuk janë në të njëjtën certifikatë familjare, por ata janë të afërmit e mi. Si do të plotësohen rubrikat e deklaratës së Tatimit në Burim pasi unë si familjar huadhënës nuk përfitoj pagesë në këtë rast?

Përgjigje: Përsa i përket huapërdorjes (individë jo në certifikatë), në rubrikën “Të ardhura bruto nga qiraja” do të vendoset shuma 0, ndërsa tek tatimi (rubrikë e diktueshme) do të vendoset shuma përkatëse referuar VKM nr.469, datë 3.6.2015 “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.  

I njëjti qëndrim do të mbahet edhe në rast se vlera e qirasë është më e ulët se përcaktimi në VKM. Në rubrikën “Të ardhura bruto nga qiraja” do të vendoset vlera sipas kontratës së qirasë, ndërsa tek rubrika “Tatimi” do të vendoset shuma e tatimit referuar VKM-469 (të sipërcituar).

5. Kur një firmë ndërtimi ka disa kantiere ndërtimi, për të cilat ka deklaruar adresat përkatëse, cilat janë dokumentat që duhet të dorëzojmë në AT dhe a është i detyruar të bëjë deklarimin e Tatimit në Burim?

Përgjigje: Për çdo truall apo tokë që ju e keni të regjistruar si adresë dytësore në QKB, ju duhet të ngarkoni nga e-Filing, në dosjen tuaj elektronike dhe të dërgoni në Administratën Tatimore dokumentin e aktit të blerjes së truallit apo tokës për adresën përkatëse. Ndërsa në rastin konkret nuk keni detyrimin për të dorëzuar deklaratën e Tatimit në Burim.

 6. Në rastin kur qiradhënës është një tatimpagues i regjistruar, i cili i ka dhënë me qira një ambient/apartament të biznesit, për një individ privat për banim, cili është detyrimi i tatimpaguesit?

Përgjigje: Në këtë rast të ardhurat e realizuara nga dhënia me qira, regjistrohen si pjesë e të ardhurave nga biznesi dhe do të tatohen sipas ligjit respektiv, si në rastin kur tatimpaguesi është person fizik, ashtu dhe kur tatimpaguesi është entitet.

7. Si do të veprohet në rastet e kontratave të qirasë kur pagesa i bëhet përfaqësuesit të qiradhënësve?

Përgjigje: Në deklaratën e Tatimit në Burim, numri personal ID do të jetë i personit përfitues të të ardhurës. Pra, shuma bruto e qirasë dhe tatimi respektiv do të jetë për përfituesin, pavarësisht se pagesa i kryhet përfaqësuesit (me akt noterial).

I vetmi rast kur në Deklaratën e Tatimit në Burim vendoset ID (identifikimi i personit) i përfaqësuesit, është në rastin e përfaqësisë ligjore (me vendim gjykate). 

8. Jam një pesionist që në banesën time në vitin 2025, për arsye ekonomike, jeton dhe shoku im i cili më paguan dhe 5 mijë lekë në muaj. A kam detyrimin të deklaroj DIVA dhe paguaj detyrime tatimore?

Përgjigje: Duke qenë se e ardhura vjetore është mbi 50,000 lekë dhe për këtë të ardhur individi nuk është tatuar, lind detyrimi që individi pensionist duhet të deklarojë dhe paguajë tatimin 15% mbi të ardhurat e përfituara, duke dorëzuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave të DIVA 2025.

9. Si do të deklarohet nga një tatimpagues Tatimi në Burim mbi qiranë për rastet e kontratave të huapërdorjes me një individ? A mundet të ketë një rubrikë shtesë në deklaratë ku mund të evidentohet vetëm tatimi për të paguar, pasi në këtë rast nuk është kryer asnjë pagesë nga qiramarrësi?

Përgjigje: Përsa i përket huapërdorjes, në rubrikën “Të ardhura bruto nga qiraja” do të vendoset shuma 0, ndërsa tek tatimi (rubrikë e editueshme) do të vendoset shuma përkatëse e tatimit të llogaritur sipas VKM nr.469, datë 3.6.2015 “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.