Institucioni

Institucioni > Lajme >

Informaliteti i pagave, Hetimi Tatimor referon 2 subjekte në Prokurori!

Në vijim të aksionit kundër nëndeklarimit të pagave, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka referuar në Prokurori 2 subjekte, që dyshohet se kanë kryer veprën penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, sipas nenit 180 të Kodit Penal.
Sa më lart, Drejtoria Hetimit Tatimor po kryen hetime ndaj disa subjekteve të shtrira në Republikën e Shqipërisë, të cilat pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme të Administratës Tatimore, vazhdojnë të mos deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.

Subjektet e hetuara i përkasin sektorit të ndërtimit dhe që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në qarkun e Tiranës. Nga provat e mbledhura për këto subjekte krijohen dyshime të arsyesshme mbi ekzistencën e dy listëpagesave që këto shoqëri përdorin, ku njëra depozitohet pranë organeve tatimore dhe tjetra që është pasqyrë e gjendjes reale mbahet nga subjektet. Nga analiza e ushtruar rezultoi se informaliteti i pagave ishte në masën mbi 50%.

Nëpërmjet falsifikimit të të dhënave në listëpagesat e tyre dhe bilancet, që paraqesin në organet tatimore, ato raportojnë pagesa për punonjësit e tyre në vlera shumë më të ulëta sesa ato që janë realisht, duke sjellë për rrjedhojë një raportim joreal të pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore, që duhet të paguhen për një pagë dhe tatimit mbi të ardhurën nga paga. Rezulton se diferenca e pagës reale paguhet nën dorë, duke i mohuar individit të drejtën për pension të merituar.

Aksioni kundër informalitetit të pagave do të vijojë ndaj ftojmë qytetarët të japin kontributin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët, duke denoncuar fenomenin e nëndeklarimit të pagave në adresën e dedikuar: punainformale@tatime.gov.al , ku do ju përgjigjemi me masa dhe veprime konkrete për të garantuar të drejtat dhe sigurinë financiare të cdo punëmarrësi në Republikën e Shqipërisë.