Të nderuar tatimpagues,
Në Fletoren Zyrtare nr.11, datë 27 janar 2017, është publikuar Akti Normativ nr.1 datë 25.01.2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9136 datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Disa nga ndryshimet kryesore që sjell ky Akt Normativ janë:
Detyrimet e personave qe paguajnë kontributet
Personi i vetëpunësuar është përgjegjës për pagesën e kontributit edhe për punonjësit e papaguar të familjes.”
Regjistrimi i të punësuarëve në organin tatimor:
- Personat juridikë ose fizikë, brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, duhet të deklarojnë në organin tatimor listën e të punësuarve, pagën përkatëse, përfshirë për personin fizik edhe punonjësit e papaguar të familjes mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht.
- Personat fizikë të vetëpunësuar pa punëmarrës dhe pa punonjës të papaguar të familjes mbi 16 vjec, me të cilët ai punon dhe bashkëjeton ligjërisht, pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, duhet të deklarojnë vetëpunësimin e tyre në organin tatimor deri të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës (i cili është brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik)
Llogaritja e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet me efekte nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore.
Llogaritja e kontributeve për personin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes
- Për personin e vetëpunësur përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar, kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar,llogariten si përqindje mbi një pagë bruto, jo më të ulët se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më të lartë se paga maksimale, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore pёr punonjësin e papaguar të familjes llogariten mbi pagën minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kur veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit fillon, ndërpritet, përfundon apo kalon në regjistrin pasiv gjatë një muaji, llogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore bëhet në bazë të pagës për ditët e punuara për muajin.
Për t’u njohur me përmbajtjen e përditësuar të këtij Ligji, ju mund të klikoni në :
https://www.tatime.gov.al/c/6/73/kontributet-e-sigurimeve-shoqerore-dhe-shendetesore
Ju faleminderit!