Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim mbi ndryshimet në udhëzimin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Të nderuar tatimpagues,
Në Fletoren Zyrtare nr.4, datë 19 janar 2017, është publikuar Udhëzimi i Ministrit të Financave nr.7, datë 10 Janar 2017 “Për disa shtesa në udhëzimin nr. 24, datë 2.9.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Disa nga ndryshimet kryesore që sjell ky udhëzim janë:

Struktura e apelimit tatimor
Drejtoria e Apelimit Tatimor që nga 1 Janari 2017 është pjesë përbërëse e strukturës organike të Ministrisë së Financave. Në Ministrinë e Financave, për shqyrtimin dhe vendimmarrjen e apelimeve tatimore, për vlera mbi shumën 20 milion lekw, ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor.

Kur konstatohet veprimtari tregtare pa u regjistruar

Kur administrata tatimore identifikon persona që ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendos masën e bllokimit të mallrave dhe detyron personin të regjistrohet menjëherë në Qendrën Kombëtare të Biznesit si tatimpagues i tatimit mbi vlerën e shtuar.
Nëse mallrat janë duke u transportuar ose janë të ngarkuara në një mjet, masa e bllokimit vendoset gjithashtu edhe për mjetin.
Masa e bllokimit për mallin edhe për mjetin hiqet pas kryerjes së regjistrimit për veprimtarinë ekonomike.
Pasi regjistrohet tatimpaguesi pajiset me faturat tatimore me TVSH dhe plotëson një faturë të përgatitur nga blerësi, me të dhënat e inventarizimit të mallit, duke i kaluar më pas Drejtorisë Rajonale Tatimore për vlerësim tatimor.
Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, përveç vendosjes së masës së bllokimit në vendin ku konstatohet shkelja, u propozohet organeve kompetente pezullimi i lejes/licencës/autorizimit për ushtrim të veprimtarisë për një periudhë 6 mujore.
Nëse tatimpaguesit i është vendosur masa e bllokimit dhe ai prish shenjat dalluese të vendosura për bllokim të veprimtarisë, ndaj tij merret masa e konfiskimit ndaj gjithë sasisë së mallit.
Nëse konstatohet se nje tatimpagues i regjistruar ushtron veprimtari në një adresë dytësore të paregjistruar në QKB, atëherë në këtë rast nuk konsiderohet se tatimpaguesi kryen veprimtari ekonomike tregtare pa u regjistruar, por aplikohen dënimet për mospërditësim të të dhënave. Ndërsa për mallin kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut.

Regjistrimi i mjeteve të transportit

1.Për mjetet e transportit të mallrave, qëllimi i përdorimit të të cilëve është:

  • transporti i mallrave për lëvizje të brendshme,
  • transporti i mallrave me destinacion nga një tatimpagues tek një tjetër,
  • automjeti i përdorur si më lart por i furnizuar sipas një kontrate leasing/qira.
  • dokumenti që përdoret, është vërtetimi i lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore ku  tatimpaguesi është i regjistruar.Tatimpaguesi pajiset me vërtetim për çdo mjet që ai ka në pronësi, sipas pasqyrave financiare deklaruar prej tij.

2.Për mjetet e transportit të mallrave, qëllimi i lëvizjes së të cilëve është:

  • shitja derë më derë,
  • mjetet e transportit të mallrave të personave që kryejnë aktivitetin në transport,
  • mjetet e transportit të udhëtarëve, dokument vërtetues i përkatësisë së mjetit është Çertifikata e Regjistrimit të Personit të Tatueshëm, me numër të ndryshëm serial (ose quajtur ndryshe “NIPT-i sekondar”), e lëshuar për çdo mjet.

Regjistri pasiv

Për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor.
Gjatë periudhës që tatimpaguesi është në statusin/regjistrin pasiv atij nuk mund ti shtohen apo ti ndryshohen përgjegjësitë tatimore.
Kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv (riaktivizimi) bëhet menjëherë, pa u kushtëzuar nga detyrimet tatimore të papaguara dhe/ose deklarata të padorëzuara të tatimpaguesit. Për detyrimet e papaguara dhe/ose deklaratat e padorëzuara zbatohen të gjitha procedurat dhe ndërmerren të gjitha hapat ligjore deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve.
Për tatimpaguesit që riaktivizohen në QKB, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv të administratës tatimore bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së, në datën  e miratimit të aktivizimit në QKB.
Për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, aktivizimi bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore dhe si datë e aktivizimit do të jetë data e kërkesës për riaktivizim.
Për të gjithë rastet e aktivizimit, i dërgohet njoftim edhe tatimpaguesit në llogarinë/adresën e tij elektronike apo në një nga mënyrat e komunikimit të përcaktuara në ligj.
Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me dispozitat ligjore.
Gjithashtu për çdo transaksion të kryer nga një tatimpagues blerës me një tatimpagues shitës që është në regjistrin pasiv, i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve në listën e tatimpaguesve pasiv, konsiderohet shkelje si për shitësin dhe për bleresin

Çregjistrimi i tatimpaguesve

Administrata tatimore, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim  është e detyruar të verifikojë situatën tatimore të personit juridik.
Kur organi tatimor, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll, në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, atëherë ky afat nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë pune, përfshirë kryerjen e kontrollit.
Në rastin kur subjektet rezultojnë me detyrime tatimore, apo pasqyra financiare e   deklarata tatimore të padorëzuara ato çregjistrohen pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore, si dhe të kenë dorëzuar pasqyrat financiare e deklaratat tatimore.

Dokumentimi dhe mbajtja e të dhënave

Fleta e shoqërimit.
Përdoret në rastin kur shitësi (i pari) i shet mallrat  blerësit ( i dyti),  i cili nga ana e tij, i shet po këto mallra tek një blerës tjetër (i treti).
Në rastin kur një person i tatueshëm (shitësi) furnizon mallrat për një person tjetër të tatueshëm (blerës), por lëvizja e mallrave nëpërmjet transportit nuk kryhet në drejtim të personit të tatueshëm blerës-rishitës, por në drejtim të një personi të tretë (pritësi/blerësi i tretë), sipas kontratës së shitjes/porosisë së personit të tatueshëm blerës (rishitës), veprohet si më poshtë:
Personi i tatueshem shitës lëshon fletën e shoqërimit të mallrave në të cilën identifikon personin e tatueshëm blerës të mallrave si dhe  të dhënat e pritësit të mallrave.
Kjo fletë shoqërimi e mallit duhet të shoqërojë mallrat gjatë transportit.
Fatura e shitjes së mallit lëshohet nga personi i tatueshëm furnizues (që shet) për personin e tatueshëm blerës (rishitës).
Ky i fundit lëshon menjëherë faturën tatimore të shitjes dhe ia vë atë në dispozicion personit të tretë, pritësi i mallit, për të cilin mallrat janë destinuar.
Fatura tatimore e shitjes e lëshuar nga blerësi- rishitës  për pritësin e mallit, nga ky i fundit i bashkangjitet fletës së shoqërimit, me anë të së cilës është transportuar dhe është bërë i disponueshëm malli.
Në çdo rast transaksionet e kryera në mënyrën e mësipërme dokumentohen me kontratat përkatëse në të cilën evidentohet qartë se cili ështëshitësi, blerësi dhe pritësi i mallit.
Kjo procedurë zbatohet vetëm në rastet kur destinacioni i mallit është për një person të tatueshëm i tretë, pritësi i mallit, i ndryshëm ky nga personi i tatueshëm blerës – rishitës, të cilit shitësi i ka lëshuar faturën tatimore të shitjes, pavarësisht se cili është personi i tatueshëm që kryen transportin.
Vetëm për qëllime të zbatimit të kësaj procedure lejohet të përdoret fleta e shoqërimit të mallit.  Në çdo rast tjetër të parashikuar në këtë udhëzim përdoret fatura e shoqërimit sipas modelit standart.
Kujdes:
Mallrat e shitura, transportuara, apo blera pa dokument tatimor (faturë tatimore,faturë shoqërimi ose fletë shoqërimi) i nënshtrohen dënimeve  në përputhje me nenin 121 të ligjit.

Fatura tatimore kompjuterike

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, me kërkesë të tatimpaguesit, pavarësisht nga numri i transaksioneve të kryera, lejon mospërdorimin e faturave tatimore të TVSH-së me numër serial të parashtypur, kur tatimpaguesi është i aftë të lëshojë fatura tatimore kompjuterike për çdo transaksion të tatueshëm, me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve.

Për këtë qëllim tatimpaguesi paraqet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve:
Një kërkesë me shkrim të shoqëruar me deklaratën ose vërtetimin përkatës, në të cilin tregohet se sistemi i tij i regjistrimeve është i kompjuterizuar dhe i aftë të prodhojë fatura tatimore me numër serial unik dhe të papërsëritshëm për çdo transaksion.
Modelin e faturës kompjuterike që kërkon të përdorë, e cila duhet të përmbajë elementët dhe të dhënat e përcaktuara në Ligjin për TVSH-në;
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve brenda 15 ditëve, jep miratimin  për tatimpaguesin duke e njoftuar në të njëjtën kohë me shkrim tatimpaguesin dhe Drejtorinë Rajonale Tatimore.

Kujtesë
Nëse konstatohet se personi i tatueshëm ka keqpërdorur përdorimin e faturës tatimore kompjuterike, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka të drejtë të rishqyrtojë miratimin e dhënë për një periudhe të paktën 2 vjeçare.

Pagesat e transaksioneve

Kufizimi për transaksionet mbi vlerën 150 mijë lekë që kryhen me para në dorë nuk aplikohet kur pagesa kryhet për një transaksion midis një personi tregtar dhe një individi, pavarësisht se vlera e transaksionit është mbi 150 mijë lekë.  
Nuk konsiderohet si transaksion i kryer me para në dorë, pagesa që kryhet nëpërmjet institucioneve financiare të parasë elektronike të licencuara nga Banka e Shqipërisë, ose pagesat e kryera me kartë krediti.
Pagesat e kryera me kartë krediti, midis dy personave të tatueshëm nuk konsiderohen të kryera me para në dorë.

Deklarimi

Në rastin e tatimpaguesve persona juridikë, detyrimi për të deklaruar ndërpritet në momentin e dorëzimit të raportit përfundimtar të likuidimit /bashkimit/ndarjes në QKB ose gjykatë.
Tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore të ndryshuar, vetëm një herë, brenda 36 muajve, nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare, me kushtin që kjo deklaratë të mos jetë kontrolluar më parë nga administrata tatimore.Tatimpaguesi mund të ndryshojë një deklaratë të kontrolluar më parë, vetëm nëse ai ka për të deklaruar një detyrim tatimor më të madh se detyrimi që ka rezultuar nga kontrolli.
Tatimpaguesit duhet të deklarojnë në organin tatimor përkatës të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), që fillojnë punë për herë të parë ose të punësuar rishtazi pranë tij. Për këtë ai plotëson formularët përkatës me të dhënat e kërkuara për secilin.
Ky deklarim duhet të bëhet të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës së të punësuarve.

Marrëveshja e pagesës me këste

Tatimpaguesi, në kushtet e vështirësive financiare,  mund të lejohet në cdo kohë dhe sa herë që është e nevojshme të lidhë marrëveshje të pagesës me këste.
Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda një afati prej 10 ditë pune nga data e paraqitjes së kërkesës, me kushtin që tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.
Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore si rezultat i vetdeklarimit (vetëvlerësimit) si dhe për detyrime tatimore si rezultat i vlerësimit tatimor të kryer nga administrata tatimore.  
Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet edhe në rastet kur ka filluar mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore për tatimpaguesin.
Nuk mund të lidhet marrëveshje nëse për tatimpaguesin kanë filluar procedurat për sekuestrimin e pasurisë.

Auditi nga kompanitë audituese.

Në rast se tatimpaguesi ka të certifikuara, nga kompani të njohura audituese, ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë, deklaratat tatimore ku vërtetohet se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, administrata tatimore e përshin këtë element në analizën e riskut të tatimpaguesit.
Për t’u listuar për të fituar të drejtën për kryerjen e këtij shërbimi, kompanitë audituese/apo kompanitëe klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
Të jenë shoqëri të auditimit ligjor të publikuara në Regjistrin publik të EKR-ve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar apo kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë të regjistruara sipas kushteve të përcaktuara në ligj;
Të ketë përvojë në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe këshillimeve tatimore;
Të kenë auditues ligjor me eksperiencë në rolin e ortakut.

Për të marrë pjesë në konkurim, kompanitë audituese/kompanitëe klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë, duket të plotësojnë disa kritere:

Kriteri ligjor.
Përfshin vërtetimin që subjekti aplikues plotëson këto dy kushte:
a)Ka 10 vite përvojë në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe këshillimeve tatimore;
b)Ka të paktën një auditues ligjor në rolin e ortakut të angazhimit me përvojë pune jo më   pak se 5 vjet;

Kriteri teknik.
Për të vërtetuar kapacitetin teknik aplikuesi duhet të paraqesë:
Historik i shkurtër dhe përshkrim i kompanisë audituese/kompanisë të klasifikuar si të tillë me ligj të veçantëpërfshirë një prezantim të stafit dhe kualifikimeve të tyre (CV);

Kritere të tjera.
Deklaratë e Administratorit të shoqërisë se Shoqëria nuk do të kryejnë shërbimin e verifikimit dhe certifikimit të deklaratave tatimore të një tatimpaguesi, në rastet kur ato, të punësuarit e tyre apo palët e lidhura me to, siç përcaktohet në Kodin e Etikës të IEKA-s/ligjin e veçantë, i kanë dhënë tatimpaguesit shërbime të kontabilitetit, të konsulencës fiskale apo shërbime të tjera të ngjashme, në lidhje me përgatitjen e deklaratave tatimore.
Afati i shqyrtimit të kërkesave për komisionin është 30 ditë pune nga afati i përfundimit të dorëzimit të aplikimeve.
Vlerësimi i propozimeve kryhet nga një komision,anëtarët e të cilit caktohen nga Ministri i Financave.

Kontrolli tatimor

Nëse një tatimpagues është kontrolluar më parë për tatim fitimin, por nuk është kontrolluar për qëllime të transferimit të çmimit, atëherë kontrolli për transferimin e çmimit nuk konsiderohet rikontroll tatimor.
Njoftimi për fillimin e kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën :
30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit të plotë tatimor,
10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të vizitës fiskale.
Në rastet e kryerjes së kontrollit tatimor si rezultat i kërkesës së tatimpaguesit për rimbursim tatimor, nuk zbatohen afatet e mësipërme.
Afati për kryerjen e kontrollit, mund të zgjatet pas miratimit nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, por jo më shumë se 15 ditë pune.
Nëse tatimpaguesi ka kryer transaksione të cilat nuk i ka deklaruar ai mund t’i deklarojë nëpërmjet një “Formulari-pyetësor”,duke paguar menjëherë detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën.
Deklarimi sipas kësaj pike është i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve kalendarike, përpara fillimit të kontrollit të plotë tatimor.

Mbledhja e detyrimit tatimor

Administrata tatimore, pasi ka ezauruar procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor të papaguar, mund të mbledhë detyrimin tatimor të mbetur të papaguar edhe nëpërmjet një personi juridik publik.
Për këtë qëllim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për çdo rast nënshkruan një marrëveshje me personin juridik publik,i cili duhet të jetë një person i specializuar në kryerjen e procedurave për këtë qëllim.

Lidhur me dënimet administrative

Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar
Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Evidentimi i personit të papaguar të familjes bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, lejes së drejtimit të automjetit apo pasaportës.
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë.
Në rastet kur çmimet janë të shënuara në kutinë ambalazhuese të mallit si në rastin e  barnave, atëherë subjektet tregtuese nuk i nënshtrohen detyrimit të afishimit të listës së çmimeve.
Nuk i nënshtrohen detyrimit për afishimin e çmimeve gjithashtu ata tatimpagues të cilët nuk mund të përcaktojnë çmime të fiksuara paraprakisht për shërbimet që kryejnë, si pasojë e  kostove që mund të rëndojnë çmimin e shërbimit.
Në rastet e shërbimeve të një natyre të veçantë (p.sh. çmimet e biletave të agjencive), çmimi për të cilat ndryshon dhe nuk është i paracaktuar, mund të afishohen tarifat orare të shërbimit.

Për  t’u njohur me përmbajtjen e plotë të këtij Udhëzimi, ju mund të klikoni në : https://www.tatime.gov.al/c/6/69/procedurat-tatimore

Ju faleminderit!