Në lidhje me artikullin e publikuar sot, datë 5.02.2023, në Monitor, me titull: “Kontabilistët kundër deklarimit automatik të librave, pa zgjidhur problemet në SelfCare: 80% e bizneseve do bëjnë korrigjime me fiskalizimin”, Administrata Tatimore kërkon të sqarojë opinionin publik duke saktësuar një për një pasaktësitë në lajmin si më sipërcituar:
Është e rëndësishme të sqarojmë se dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes nga portali SelfCare nuk e ndërpret plotësimin manualisht në formatin Excel të librave në sistemin e deklarimit elektronik e-Filing, duke hedhur poshtë pretendimet që pohojnë të kundërtën.
Sikurse është njoftuar nga Administrata Tatimore, pas dorëzimit të librave në SelfCare tatimpaguesit kanë mundësinë e ndryshimit të librave në e-Filing në formatin Excel, duke kryer saktësimet përkatëse. Gjithashtu deklarimi i TVSH-së do të kryhet manualisht po nëpërmjet sistemit e-Filing.
Sqarojmë se Tatimpaguesit, që nuk janë subjekt i TVSH-së, pra nuk janë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, nuk kanë detyrimin e dorëzimit të librave dhe deklaratës së TVSH-së. Librat e këtyre tatimpaguesve nuk transferohen nga portali Selfcare drejt e-Filing.
Në artikullin e Monitor citohet se me gjendjen aktuale që është SelfCare 80% e bizneseve pritet të bëjnë korrigjime, duke shtuar barrën e deklaruesve, por edhe të tatimeve që janë përpunuesit e informacionit.
Administrata Tatimore sqaron shifra e sipërpërmendur nuk bazohet në asnjë analizë. Përkundrazi, sipas analizave të kryera nga Administrata Tatimore, nga krahasimi i deklarimit të librave të deklaruar nga tatimpaguesit nëpërmjet e-Filing dhe librave në sistemin e Fiskalizimit për 12 periudhat e fundit rezulton se rreth 85% e librave kanë qenë të përputhur dhe nuk ka qenë e nevojshme të korrigjohen.
Në artikullin e Monitor, një nga ekspertët e intervistuar citon se ky vendim është i parakohshëm në një kohë kur një sërë problematikash rezultojnë të pazgjidhura.
Sqarojmë se janë më pak se 1% e deklaratave doganore, që vijnë me probleme në llogaritjen e normës së TVSH-së dhe se brenda kësaj jave problematika do të zgjidhet. Megjithatë theksojmë se kjo nuk e pengon procesin e deklarimit të librave, pasi tatimpaguesit siç kanë vepruar deri më sot, kanë mundësi të shtojnë manualisht në librin e blerjes të dhënat e deklaratave të importit, që nuk kanë mundur t’i fiskalizojnë, duke kryer në këtë mënyrë korrigjimin e librit, dhe me pas ngarkimin manualisht të tij ne format excel, ne llogarinë në e-Filing.
Në lidhje me pretendimin se disa fatura të fiskalizuara shfaqen te transaksionet, por jo të pasqyra mujore, sqarojmë se problematika shfaqej pasi tatimpaguesit lëshonin fatura me gabime. Kjo problematikë është zgjidhur, pasi kemi vendosur kufizime në sistem për të eliminuar lëshimin e faturave me këtë lloj gabimi.
Në artikull thuhet gjithashtu se disa fatura blerje shfaqen më datë 11, me efekte nga data 10.
Faturat periodike duhet të lëshohen deri në ditën e dhjetë të muajit pasardhës dhe si të tilla ato regjistrohen në librin e blerjes të muajit pasardhës. Pas kësaj date çdo faturë regjistrohet në librin e muajit aktual.
Në lidhje me afatin e deklarimit, theksojmë se nuk ka ndryshuar, vijon të jetë data 10 e muajit pasardhes.
Nëpërmjet këtij procesi, për të gjithë tatimpaguesit subjekt i TVSH-së, përfshirë edhe zyrat e kontabilitetit, është thjeshtuar procesi i deklarimit manualisht të librave. Për saktësimin dhe verifikimin e mospërputhjeve të mundshme është i vlefshem afati në datat 11-14, që përkon edhe me deklarimin dhe pagesën e TVSH-së. Plotësimi i deklaratës së TVSH-së, siç është njoftuar, do të vijojë të kryhet manualisht nëpërmjet e-Filing.
Theksojmë se Administrata Tatimore është organ ligjzbatues dhe se afati i deklarimit të librave të shitjes dhe blerjes sipas Udhëzimit nr.6 datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar është data 10 e muajit pasardhës.
Në lidhje me pretendimin se nuk është zgjidhur teknikisht nga të gjitha kompanitë e fiskalizimit kategorizimi i shitjeve dhe raportohen në mënyrë të gabuar në SelfCare, sqarojmë se kompanitë e certifikuara janë njoftuar për të kryer ndryshimet përkatëse dhe janë marrë masat për të raportuar në mënyë korrekte rastet e furnizimeve pa TVSH ose të përjashtuara.
“Është shumë i vështirë procesi i llogaritjes dhe saktësimit në SelfCare të përjashtimit nga TVSH-ja ose e kredititimit të pjesshëm të TVSH-së për çdo faturë, ndërkohë që në programin excel është shumë herë më e thjeshtë. Në këtë mënyrë po vështirësohet raportimi tatimor”, citohet në artikullin e Monitor.
Administrata Tatimore sqaron se për rastet e kreditimit të pjesshëm të TVSH-së ose përjashtimit nga TVSH-ja, rishpërndarja e vlerave duhet të kryhet për çdo faturë. Ndërkohë disa problematika lidhur me rishpërndarjen e TVSH-së (psh në investime) janë duke u zgjidhur. Siç edhe Administrata Tatimore ka njoftuar, tatimpaguesit, pasi t’i kenë dorëzuar fillimisht librat nëpërmjet portalit SelfCare, kanë mundësinë të kryejnë ndryshimin e librave në formatin Excel nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik, e-Filing.
DPT kërkon të sqarojë Monitor dhe opinionin publik se ky proces automatizimi do të krijojë lehtësi për të gjithë tatimpaguesit, duke iu ardhur në ndihmë për të minimizuar veprimet e tyre për deklarimet tatimore, që është reduktimi i kohës dhe ulja e kostove.