Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim mbi ndryshimet lidhur me funksionin e Avokatit të Tatimpaguesit

Të nderuar tatimpagues,

Në Fletoren Zyrtare nr.3, datë 17 Janar 2017, është publikuar VKM nr.10, datë 11.1.2017, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 648, datë 28.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për Avokatin e Tatimpaguesit”.

Ndër ndryshimet kryesore sjellim në vëmendjen tuaj:

Ndryshimet strukturore

Struktura organike, mbi bazën e së cilës Avokati i Tatimpaguesit, duke filluar nga data 1 janar 2017, është pjesë përbërëse e Minsitrisë së Financave.
Çdo tatimpagues që do të kërkojë shërbimin e Avokatit ë Tatimpaguesit, duhet t’i drejtohet, Drejtorisë së Avokatit të Tatimpaguesit, në adresën Ministria e Financave, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr.3, Tiranë.

Ndryshimet funksionale

Avokati i Tatimpaguesit do të ndjekë edhe procesin e informimit e të shërbimit të tatimpaguesit prej administratës tatimore, proces që përfshin, por nuk kufizohet, në informimin dhe publikimin e informacionit të qartë e të kuptueshëm në faqen elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Monitorimi mund të kryhet edhe nëpërmjet sondazheve, vëzhgimeve, intervistave, pyetësorëve në mënyrë elektronike ose në çdo lloj forme tjetër, për t’u siguruar që kjo e drejtë e tatimpaguesit është përmbushur nga administrata tatimore.

Avokati i Tatimpaguesit ndjek zbatimin e së drejtës për kontrolle të arsyeshme dhe në përputhje me përcaktimet, procedurat dhe afatet për kryerjen e kontrollit tatimor, periodicitetin e kryerjes së kontrolleve, kohën, vendin dhe kohëzgjatjen, sipas dispozitave të ligjit.

Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për zbatimin e së drejtës së tatimpaguesit, në rastin e një mosmarrëveshjeje për një vlerësim tatimor, të kryer nga administrata tatimore, lidhur me arsyet, mënyrën e vlerësimit dhe të vendimit të marrë.

Avokati i Tatimpaguesit monitoron respektimin e së drejtës për të kërkuar nga administrata tatimore, në rrugë elektronike apo me shkrim, çdo dokument që ndodhet në dosjen e tatimpaguesit.

Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën e njohjes dhe të marrjes me shkrim, nga strukturat e administratës tatimore, të çdo informacioni të përgjithshëm apo të veçantë për një tatimpagues apo një grup tatimpaguesish, në çdo fazë të procesit administrativ. Ai mund të kërkojë informacion pranë çdo strukture të administratës tatimore, përfshirë Drejtorinë e Hetimit Tatimor, për aq sa nuk cënohen interesat e hetimit tatimor.

Avokati i Tatimpaguesit gëzon të drejtën e njohjes dhe të marrjes së informacionit edhe nga strukturat përkatëse të shqyrtimit administrativ tatimor në Ministrinë e Financave.

Avokati i Tatimpaguesit, në bazë të kërkesës së tatimpaguesit, ka të drejtë t’i rekomandojë Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, nxjerrjen e vendimeve teknike, në përputhje me përcaktimet e nenit 10, të ligjit nr. 9920/2008.

Ndryshimet në raportim

Avokati i Tatimpaguesit i raporton me shkrim, periodikisht, një herë në tre muaj, ose sa herë që ai e kërkon, Ministrit të Financave. Në të njëjtën kohë, ky raport i dërgohet edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Përveç raportimit periodik, në rastet kur e gjykon të arsyeshme, për situata apo çështje të veçanta, Avokati i Tatimpaguesit i raporton Ministrit të Financave.

Efektet e këtyre ndryshimeve shtrihen nga data 1 janar 2017.

Ju faleminderit