Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim për përmbushjen e detyrimeve ligjore nga tatimpaguesit që operojnë në sektorin e tregëtimit të hidrokarbureve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sjell në vëmendje të tatimpaguesve që operojnë në sektorin e tregëtimit të hidrokarbureve dhe tregëtojnë me shumicë dhe/ose pakicë naftë apo nënprodukte të saj dhe gaz natyror të lëngshëm (GNL), në të gjitha format e tregëtimit, se dokumentimi i shitjes së sasisë së naftës bruto, produkteve të naftës dhe GNL do të bëhet vetëm me faturë të lëshuar në përputhje me përcaktimet e kuadrit ligjor në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.

Me qëllim qartësimin e procedurave të faturimit në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron si vijon:

  • Fiskalizimi i faturave pa para në dorë

Për të gjitha furnizimet pa para në dorë, të cilat sipas detyrimit ligjor paguhen vetëm nëpërmjet sistemeve bankare, subjektet që operojnë në fushën e hidrokarbureve duhet të instalojnë dhe të përdorin një zgjidhje të përshtatshme softwerike ose të certifikojnë sistemet e tyre fiskale nëse aktualisht kanë krijuar një të tillë.

Kujdes: Detyrimi ligjor për të lëshuar faturë elektronike për të gjitha furnizimet pa para në dorë ka filluar më datë 1 korrik 2021.

Faturat elektronike (e-fatura) pa para në dorë lëshohen në të gjitha rastet e funizimeve me shumicë (shitjet nga Sh.a drejt sh.p.k.-ve), në rastin e shitjes fillestare të tollonave, në rastin e faturave përmbledhëse për shitjet me kartën e kompanisë dhe në të gjitha rastet kur fatura paguhet me bankë.

Në rastin e shitjes së tollonave, shoqëritë e hidrokarbureve duhet të lëshojnë faturat dhe t'i fiskalizojnë ato në momentin kur lëshohet tolloni. Është shumë e rëndësishme që kjo faturë që dokumenton shitjen e tollonit të lëshohet dhe fiskalizohet e para.

Nëse kompanitë që operojnë në tregun e hidrokarbureve shpërndajnë karta për blerje të vazhdueshme karburanti, në këto raste dokumentimi i totalit të blerjeve dokumentohet me faturë përmbledhëse të lëshuar për një periudhë jo më të madhe se një muaj.

Kur furnizimi i mallrave paguhet me kartën e kompanisë të tatimpaguesit, të lëshuar nga tatimpaguesi që furnizon mallrat, shitësi lëshon dhe fiskalizon faturën dhe informacioni identifikues i blerësit duhet të vendoset në faturë (NIPT-i, emri/emri dhe mbiemri).

Kujdes:Ky lloj furnizimi nuk duhet të konfondohet me kartat që kompanitë lëshojnë me qëllim ofrimin e uljeve të cmimit apo dhurata të tjera për klientët e rregullt. Nëse furnizimi me kartë nuk është i vazhdueshëm fatura e fiskalizuar lëshohet në momentin e përdorimit të kartës.

Tregtimi i karburanteve nga magazina doganore/fiskale në pikat e tregtimit me pakicë kryhet në çdo rast nëpërmjet lëshimit të një fature elektronike, e cila shoqëron transportin e sasisë së karburantit të shitur.

Në momentin e daljes së karburantit nga magazina doganore/fiskale, përveç faturës elektronike, për qëllim të monitorimit të qarkullimit të lëngut tatimpaguesi duhet të lëshojë dhe fiskalizojë dokumentin e transportit, i cili lëshohet nga pajisja elektronike e lidhur me KDE-në menjëherë pas transferimit automatik të të dhënave për karburantin e qarkulluar, dokument i cili duhet të lidhet me NSLF e faturës elektronike të lëshuar më parë. Disa dokumente transporti mund të lidhen me një faturë të vetme elektronike ku totali i të gjithë dokumenteve të transportit duhet të jetë i barabartë me sasinë e karburantit në faturën elektronike me të cilën lidhen.

Subjekti transportues i karburantit, pas daljes nga magazina doganore/fiskale, qoftë thjesht subjekt transportues, vetë blerësi apo shitësi, detyrohet të mbajë të bashkëngjitur me faturën elektronike edhe dokumentin e transportit që i përket karburantit që po transportohet.

  • Fiskalizimi i shitjeve të karburantit me para në dorë

Për shitjet me pakicë të kryer për një konsumator final, një faturë duhet të lëshohet dhe fiskalizohet dhe të përmbajë elementët e përcaktuar në Ligjin Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar (më tej “Ligji”).

Pajisjet fiskale ekzistuese, janë të destinuara për lëshimin e faturave vetëm për transaksione që kryhen me para në dorë. Kuponi i lëshuar nga këto pajisje nuk zëvendëson faturën tatimore dhe nuk duhet të konfondohet me faturën elektronike (e-invoice).

Ligji ka parashikuar shprehimisht se, shkëmbimi i të dhënave të pajisjeve fiskale ekzistuese do të bëhet nëpërmjet serverit të ndërmjetëm në sistemin e fiskalizimit në kohë reale, zhvillim i cili po bëhet ose duhet të bëhet dhe plotësohet nga tregtuesit e këtyre pajisjeve.

Referuar sa më sipër, shoqëritë e tregtimit të karburanteve me pakicë mund të zgjedhin të vijojnë bashkëpunimin me shoqëritë që i kanë pajisur me kasë fiskale dhe të sigurohen që pajisjet janë të fiskalizuara dhe përmbushin kushtet e Fiskalizimit, ose të zgjedhin të lidhin sistemin elektronik të karburantit me një zgjidhje të re softwerike të çertifikuar për dokumentimin e transaksioneve me para në dorë. Pra, në çdo rast, shoqëritë duhet të sigurojnë plotësimin e kushteve të nevojshme për fiskalizimin e transaksioneve me para në dorë.

Kusht i rëndësishëm për t’u patur në konsideratë është se, aktualisht ndryshojnë vetëm modalitetet e raportimit të faturës dhe jo detyrimet e tjera ligjore. Në këto kushte, të gjitha pikat e shitjes me pakicë të karburanteve duhet të pajisen me dispensera që operojnë vetëm nën regjimin automatik dhe nën kontrollin e sistemit fiskal (i përbërë nga kontrolleri i dispenserit elektronik dhe pajisja fiskale) të lidhur detyrimisht me një zgjidhje software-ike të çertifikuar.

Çdo dispenser i karburantit, përfshirë dhe ata të GNL, detyrimisht duhet të jetë i lidhur me sistemin fiskal të sipërpërmendur. Furnizimi me karburant duhet të jetë i lidhur me regjistrimin automatik të shitjeve dhe duhet të punojë nën rregullin e detyrueshëm “PA FATURË, S'KA KARBURANT”.

Është detyrim ligjor që çdo dispenser të jetë i lidhur me pajisjen elektronike për lëshimin e faturave me një zgjidhje software-ike të certifikuar, në datën e fillimit të efekteve të sistemit të fiskalizimit dhe monitorimit sipas afateve të ligjit.