Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të interesimit të vazhdueshëm të subjekteve tatimpagues që kanë implementuar dhe po përdorin një zgjidhje softwar-ike të certifikuar para fillimit të efekteve të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar dhe nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, kërkon të sqarojë të gjithë subjektet e interesuara për sa vijon:
Të gjithë tatimpaguesit që kanë zgjedhur të lëshojnë fatura për transaksionet me para në dorë nga një zgjidhje softuerike e certifikuar dhe për rrjedhojë nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, duhet të marrin masat për të kryer procedurën e cregjistrimit të këtyre pajisjeve fiskale në përdorim.
Për këtë qëllim, subjekti tatimpagues njofton organin tatimor zyrtarisht në rrugë shkresore apo elektronike nëpërmjet plotësimit të një kërkese të përpiluar vetë nga tatimpaguesi, ku thekson se ka implementuar një zgjidhje softwar-ike të certifikuar dhe kërkon të kryejë çregjistrimin e pajisjeve fiskale që nuk i përdor më. Kërkesa shoqërohet me të dhënat identifikuese të zgjidhjes software-ike në përdorim ose kopje e kontratës së instalimit dhe mirëmbajtjes nga shoqëria e zgjidhjes softwar-ike.
Pas miratimit të kërkesës nga ana e Administratës Tatimore, shoqëria e autorizuar kryen cregjistrimin e pajisjes fiskale dhe ruan memorien fiskale të saj.
Çregjistrimi i pajisjeve fiskale që nuk përdoren nga ana e çdo subjekti tatimpagues është një detyrim ligjor i tyre.
Për çdo problematikë të hasur në zbatimin e kësaj procedure, ju mund të na kontaktoni duke komunikuar me HelpDesk për Fiskalizimin drejtpërsëdrejti nga portali i dedikuar http://helpdesk.tatime.gov.al/, duke dërguar email në adresën Fiskalizimi.helpdesk@tatime.gov.al apo duke kontaktuar Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02.