Institucioni > Lajme >
Pyetje-Përgjigje nga shoqatat e Kontabilistëve
- Në rastin e faturave korrigjuese, është shitësi ai që bën korrigjimin e faturës për mallrat e kryera. Cili do të jetë dokumenti që do të vërtetojë lëvizjen e mallrave të kthyera që sjell klienti?
Përgjigje: Siç parashikohet në Udhëzimin e TVSH, (neni 32) në rastet e kthimit të mallit do të jetë fatura korrigjuese dokument për transportin e mallit.
- Në rastin e shitjeve trekëndëshe me jashtë: Pra një shoqëri shqiptare a blen një mall në Itali dhe i thotë furnitorit t’ia çojë në një klient të tij në Francë. Pra malli nuk kalohet fare në Shqipëri: si do të fiskalizohet fatura e furnizimit? Po fatura e shitjes?
Përgjigje: Rasti paraqitur nuk sqaron/vërteton pronësinë e mallit dhe për këtë duhet që mallrat të hyjnë në territor shqiptar në mënyrë që shitja të konsiderohet konformë rregullave.
- Si do të deklarohen arkëtimet apo pagesat në një arkë nga e cila nuk bëhen shitje me arkëtim në dorë? P.sh. arka qendrore e kompanisë arkëton një shumë nga një klient i mëparshëm por në arkën qendrore?
Përgjigje: Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 87/2019 (fiskalizimi) arkat inicializohen pranë njësive të shitjes me para në dorë, forma tjetër e pagesës nuk konsiderohet me para në dorë. Pra që të lejohet ky veprim duhet të regjistrohet çdo arkë si njësi shitje me para në dorë.
- Kur bëhet blerje nga individë të paregjistruar dhe duhet të lëshohet autofaturë është e detyrueshme të merret për çdo blerje dhe Nr. i ID, emri e mbiemri?
Përgjigje: Po, për çdo blerje nga individë të paregjistruar duhet të merret dhe shënohet NID, emër dhe mbiemër.
- Për eksportet në përgjithësi akoma nuk ka asnjë udhëzim dhe në veçanti. P.sh. Për subjektet që punojnë me AUTORIZIM TË REGJIMIT TË PËRPUNIMIT AKTIV, akoma nuk është nxjerrë ndonjë udhëzim dhe nuk është trajtuar si temë në trajnimet e deritanishme nga DPT. Si do të bëhet fiskalizimi i faturave të importit dhe eksportit të këtyre subjekteve? Siç e dini dhe kjo kategori subjektesh ndahet në 2 nënkategori. Një pjesë e subjekteve që punojnë me material porositësi, ku klient dhe furnitor është i njëjti subjekt i huaj (materiali është i porositësit të shërbimit dhe i rikthehet përsëri duke i shtuar vlerën e përpunimit) dhe një pjese e subjekteve ku klienti dhe furnitori janë të ndryshëm, pra e blen materialin nga një furnitor dhe e shet atë pas përpunimit te një klient tjetër. Si do të bëhet fiskalizimi i faturave? Çfarë fature do të pranojë dogana për të bërë procedurat doganore etj. Çfarë fature duhet t’i dërgojmë klientit që të kryejë pagesën, sepse deri tani klienti nuk pranon faturën e TVSH-së ku është e shënuar vetëm vlera e shërbimit, por faturën komerciale në të cilën shënohen dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me REGJIM TË PËRPUNIMIT AKTIV si vlera e materialit, vlera e shtuar që përfshin vlerën e shërbimit + vlerën e mallrave që blihen në Shqipëri dhe materializohen në produkt, peshat neto e bruto etj. Klienti huaj kërkon faturën në gjuhën e huaj, jo në gjuhën shqipe, si do të zgjidhet ky problem gjatë fiskalizimit?
Përgjigje: Procedura e fiskalizimit për importimin e mallrave do të përdorë të dhënat që i janë dërguar administratës tatimore nga administrata doganore në deklaratën doganore, kështu që fiskalizimi i faturave nga jashtë do të bazohet në të dhënat e paracaktuara dhe tatimpaguesi do të duhet të shtojë vetëm informacionin që mungon, sipas nenit 25 të udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, nga fatura e tatimpaguesit të huaj. Fiskalizimi do të bazohet në deklaratën doganore, kështu që vetëm pasi të marrë deklaratën doganore lind detyrimi për fiskalizimin e faturës.
Ndërkohë, vlen të theksojmë se rasti i dytë i paraqitur nga ju nuk është rast i parashikuar në legjislacionin në fuqi, pasi që të funksionojë skema është kusht që pronësia e mallit nuk ndryshon. Më tej lidhur me gjuhën e përdorur, sqarojmë se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë e njohur me ligj është gjuha Shqipe (neni 14, pika 1, e Kushtetutës së Shqipërisë.
- Mënyra dhe koha e lëshimit të faturave elektronike dhe faturave të shoqërimit me entet publike. Për t’a kuptuar më qartë po marr një shembull: Një subjekt që ka kontratë (marrëveshje kuadër) me entet publike për furnizim dhe shpërndarje mallrash në objekte të ndryshme në varësi të entit publik. Në një marrëveshje kuadër me entin publik furnizimi dhe shpërndarja bëhet në mënyrë të vazhdueshme sipas kërkesave të entit publik (pra jo njëherësh). P.sh. Enti publik bën një kërkesë për 1000 kg të mallit X, subjekti këtë sasi duhet t’a magazinojë fillimisht në magazinën qendrore të entit publik. Pas magazinimit të sasisë prej 1000 kg. Enti publik sipas planit të shpërndarjes urdhëron subjektin që t’a shpërndajë të gjithë sasinë prej 1000 kg brenda ditës në disa objekte, ose vendos të shpërndajë një pjesë të sasisë atë ditë dhe një pjesë ditën tjetër. Cili është dokumenti që duhet të shoqërojë mallin nga magazina e subjektit në magazinë qendrore të entit publik?
Përgjigje: Fatura e shoqërimit do të përdoret vetëm në rastet kur nuk ndryshon pronësia (udhëzimi nr. 20, datë 01.06.2020). Pra, nëse malli do të depozitohet pranë subjektit blerës do të duhet të lëshohet faturë shitjeje.
- Cili është dokumenti që duhet të shoqërojë mallin nga magazina qendrore e entit publik në objektet publike?
Përgjigje: Sqaruar më lartë
- Në cilin moment duhet të lëshohet fatura elektronike?
Përgjigje: Për çdo furnizim malli apo shërbimi me Entet Publike duhet të lëshohet faturë elektronike për çdo rast në momentin që kryhet furnizimi i mallit apo shërbimit.
- IM5: mall i marrë në pronësi për përpunim, për një arsye të caktuar nuk bëhet përpunimi, p.sh. Nuk realizohet kontrata e Exportit, subjekti duhet t’a kaloj nga IM5 në IM4 mallin në pronësi. Si do bëhet fiskalizimi? P.sh. Praktika IM5 bëhet kalimi me IM4 që në libër blerje janë bërë import pa TVSH këto praktika, si do kalohen në IM4 me fiskalizimin? Aktualisht bëhet një IM4 për të gjitha praktikat.
Përgjigje: Do të rakordojmë me doganat dhe do të japim një përgjigje konkrete me email.
- Si do bëhet fatura e shërbimit për jashtë dhe si do miratohet kjo faturë.
Pëgjigje: Në rast se blerësi ose marrësi i shërbimeve lëshon një faturë autongarkesë për shërbimet e ofruara nga një person i tatueshëm jorezident, për furnizimet e shërbimeve për të cilat TVSH-ja është e pagueshme nga marrësi i furnizimit, sipas paragrafit 2, të nenit 86, të Ligjit për ‘Tatimin mbi vlerën e shtuar’, fatura lëshohet nga blerësi jo më vonë se dita e 10-të e muajit pas muajit në të cilin është bërë shërbimi (përveç rastit kur fatura lëshohet nga shitësi në formë elektronike dhe shkëmbehet me blerësin përmes platformës qendrore të faturave).
- Në rastin e autofaturës për një shërbim të marrë nga një tatimpagues jo rezident, si do te reflektohet mbajtja e tatimit në burim, kur plotësohen kriteret ligjore për këtë fakt.
Përgjigje: Në rastet e furnizimeve rastësore të marra nga individë të ndryshëm që nuk kanë cilësinë e tregtarit, përfshirë prodhuesit bujqësorë që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit, tatimpaguesi (pra blerësi) lëshon një autofaturë pa llogaritur TVSH-në. Kjo faturë duhet të vërtetohet nga individi furnizues nëpërmjet nënshkrimit dhe të dhënave të tjera identifikuese të tij si emër/mbiemër dhe numër personal identifikimi, të cilat duhet të regjistrohen në faturë. Tatimpaguesi, si marrës i furnizimit është i detyruar që të shënojë në faturën e përgatitur për veten e tij edhe NIPT-in e tij. Fatura e lëshuar nga blerësi, person i tatueshëm si subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar apo i tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, është dokumenti që justifikon shpenzimet e zbritshme të biznesit për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin dhe tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Për shembull, një shoqëri tregtare paguan një individ vendas ose të huaj (që nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare) për një shërbim rastësor konsulence, përkthimi dhe shërbime të ngjashme, etj. Në këtë rast, shoqëria përfituese e shërbimit përpilon një faturë me të dhënat identifikuese të individit shitës të shërbimit, vlerën e shërbimit dhe tatimin që mbahet në burim të llogaritur për pagesën e këtij shërbimi.
- Për kompanitë që ofrojnë ture turistike që operojnë sipas marzhit të fitimit, deri tani blerjet kalonin të gjitha pa TVSH dhe për vlerën totale të xhirimit-vlerës së turit duke zbritur të gjithë blerjet si shpenzim të turit, diferenca që është praktikisht fitimi duhet të jetë me TVSH. Deri më tani bëhej një faturë ku shënohej: Shitje sipas nenit... Për marzhin e agjensive dhe nuk pasqyrohej TVSH për klientin, po me fiskalizimin? Si do paraqitet fatura e fiskalizuar për marzhin e fitimit dhe TVSH-në e kësaj fature?"
Përgjigje: Së pari, siç veprohet edhe sot, transaksionet, ndërmjet klientit dhe agjencisë dhe agjencisë dhe personave të tjerë të tatueshëm nëpërmjet të cilëve është bërë i mundur të kryhet shërbimi duhet të kryhen nëpërmjet llogarive bankare. Gjtithashtu, sqarojmë se nga pikëpamja fiskala nuk ka ndryshuar koncepti por vetëm procedura e raportimit të faturave.
- Si veprohet me zyrat e këmbimit valutor, ku do çojnë nga njësia e tyre p.sh. 10.000 euro në bankë dhe do t’i konvertojë në Dollar. Si do bëhet fiskalizimi në këtë rast, cila vlerë do të fiskalizohet e shitjes së eurove apo e blerjes së dollarëve? Tek cili libër do të regjistrohet tek shitjet apo tek librat e blerjes?
Përgjigje: Së pari pasi të jetë deklaruar shuma e çeljes së arkës në lekë, gjatë ditës do të lëshohen faturat për blerjet e eurove. Ndërkohë, duke konsideruar se paraja është mall shitja eurove duke i konvertuar në dollar do të raportohet tek librat e shitjes. Theksojmë se, gjithmonë duke përcaktuar kursin e këmbimit në monedhën shqiptare (Lekë).
- Në rastin e fiskalizimit të faturave të blerjes nga furnitorë të huaj p.sh. Shërbim transporti ndërkombëtar subjekti regjistron në kontabilitet faturën e furnitorit njëkohësisht fiskalizon një faturë blerje. Në këtë rast kemi një dublim. Si është zgjidhur kjo?
Përgjigje: Fiskalizimi i faturave të lëshuar nga jorezidentët, është e sqaruar në nenin 7, të ligjit 87/2019 si dhe në nenin 11 të udhëzimit nr. 16. Kjo procedure ofrohet nga zgjidhjet software-ike të certifikuar për këtë qëllim.
- Kur subjekti blerës, importon mallra nga disa furnitorë të huaj dhe që vijnë me një mjet transporti rrugor, dogana bën vetëm një deklaratë doganore për të gjithë furnitorët bashkë, si bëhet pranimi, fiskalizimi i deklaratës doganore?
Përgjigje: Ligji për TVSH, është pothuajse i përputhur me Direktivën e BE, dhe supozohet se për cdo mall të importur është lëshuar një faturë nga shitësi dhe procedura e fisklizimit do të kryhet për të gjitha mallrat (faturat) e lëshuara.
- Subjektet që kaluan pa TVSH në 1 janar si edhe ata që ishin pa TVSH, deri në 1 shtator 2021 nuk do të deklarojnë libra blerjeje dhe prandaj kjo platformë do të përmbajë informacionin e faturave të blerjeve nga momenti kur ky subjekt është subjekt i fiskalizuar. Si do të veprohet p.sh. Për një subjekt Biznes i madh me tatim fitimin, por me xhiron nën 10 milion i cili deri në 1 shtator nuk do të deklarojë blerjet. Këto fatura ku do t’i shfaqen se as në E-filing e as në Platformë nuk i ka regjistruar?
Përgjigje: Do të analizohet me detaje dhe do të japim një përgjigje konkrete.
- A ka parashikuar fiskalizimi për rastet e rimbursimit të shpenzimeve që nuk përfshihen në vlerën e tatueshme (parashikuar në nenin 33 të Udhëzimit për TVSH). Janë rastet kur një kontabilist apo avokat kryhen pagesa për klientët e tij dhe kryhen pagesën në emër të tij. Aktualisht përfshihet në faturë por nuk deklarohet në libra shuma e paguar.
Përgjigje: Të gjitha transaksionet bazuar në nenin 33, duhet të jenë të faturuara, si dhe duhet të plotësohen të gjitha kushtet e përcaktuara në këtë nen. Vlen të theksojmë se, është kusht që këto shpenzime janë të nevojshme të kryhen nga personi i tatueshëm për llogari të klientit të tij përgjatë kryerjes së një shërbimi për të cilin klienti e ka kontraktuar personin e tatueshëm. Këto shpenzime janë të nevojshme dhe evidentohen dhe faturohen më vete në faturën që personi i tatueshëm i lëshon klientit të tij. Nëse kushtet e mësipërme nuk plotësohet atëherë konsiderohet shërbim i tatueshëm. Gjithashtu nëse shpenzime të tilla nuk provohen dhe dokumentohen sipas rregullave të këtij udhëzimi atëherë vlera e tyre e plotë ose vlera e paprovuar ose dokumentuar do të konsiderohet vlerë e tatueshme për të cilën zbatohet TVSH.
- Për faturën shoqëruese me dy tatimpagues të ndryshëm pa ndryshim pronësie kemi rastet e transportit të ambalazheve qarkulluese si p.sh. Arka plastike me shishe të kthyeshme, fuçi birre etj. Të cilat kthehen pas nga blerësi tek shitësi pasi është konsumuar malli.
Përgjigje: Në këto raste duhet të ekzistojë një kontratë e lidhur midis palëve për dhënien dhe kthimin e ambalazheve. Në kontratë paraqitet edhe afati i kthimit të ambalazheve nga blerësi tek shitësi. Ambalazhet që blerësi nuk i kthen tek shitësi konsiderohen sikur të ishin shitur dhe i nënshtrohen TVSH-së mbi vlerën e tyre.
- Po për kontratat e shitjes së apartamenteve për individë ku lekët kalojnë në llogarinë e noterit si do të jetë mënyra e pagesës me bankë dhe fiskalizimi i tyre?
Përgjigje: Llogaritë bankre dhe çdo veprim që kryen NOTERI janë objekt i deklarimit në sistemin e NISA dhe NRSH pranë Ministrisë së Drejtësisë, dhe kjo është vetëm për efekt deklarimi, ndërkohë që fatura e shitjes duhet të fiskalizohet sipas përcaktimeve të nenit 6. të udhëzimit nr. 16.
- A mund të lëshojë subjekti faturë me minus (-) për rregullimin e faturave të paradhënies që janë lëshuar para datës 1 korrik (para fiskalizimit B2B)?
Përgjigje: E paqartë si pyetje. Por nëse i referoheni faturave korrigjuese për fatura të leshuara nga blloku (fizike), PO, kjo është e mundur duke regjistruar manualisht nr. Seria të faturës së parë që detyrimisht duhet të ekzistojë në librat e tatimpaguesit.
- Në rastin e shoqërive ku lëshimi i faturës kërkon një procedurë miratimi (jo fiskale), subjekti mund të lëshojë faturën në datë 05 të muajit pasardhës, por kjo faturë i përket muajit paraardhës, a do ketë mundësi që fatura të dalë e regjistruar në muajin që i takon? P.sh. Shërbimi është kryer gjatë muajit qershor 2021, Fatura duhet të pritet me datë 30.06.2021. Procedura e brendshme e miratimit përfundoi në datë 2 korrik. A mund të regjistrohet kjo faturë për muajin qershor që dhe blerësit t’i shfaqet në librin e blerjes për muajin qershor?
Përgjigje: Për furnizimet e parashikuara nga neni 99,i ligjit 92/2014” Për TVSH-në”, dhe neni 28, i udhëzimit të TVSH-së, kjo procedurë është e mundur dhe realizohet.
- Problematika në shitje me shumicë: a. Problemi i faturave, vijnë me koli i kthejnë në copë. b. Gabimet njerëzore, punëtorët ngatërrojnë kodet kemi gati 500 kode me iniciale ose kode peshore. Shitet diçka tjetër për produkt tjetër njëra ngelet gjendje tjetra del minus c. Produktet me peshë kanë firo p.sh. (djathi i hapur, fileto e pulës, etj.) d. Me produktet e vjedhura, po me mallrat që thyhen apo dëmtohen dhe nuk shiten më? e.Emërtimet te fatura e blerjes nuk korrespondojnë me emërtimet që kemi ne të listuara në program. Pasi ato shumë herë vijnë me iniciale po t’i lëmë ashtu nuk i kupton konsumatori çfarë ka blerë pra do shiten me emërtim tjetër. f. Malli që kthejnë mbrapsht klientët. Si do veprojmë? Në shumë raste nuk duan t’a ndërojnë me diçka tjetër thjesht duan lekët mbrapsht. N’a ndodh gati çdo ditë.
Përgjigje: Parimisht mund të qëndrojnë si problematika por vihet re se jo të gjitha mund të konsiderohen si raste që mund të trajtohen nga Administrata Tatimore. Përjashtimisht, nxjerrjes jashtë përdorimit të mallrave dhe përcaktimi i firove të cilat rregullohen me dispozita të veçanta.
- Ku do të deklarohen deklaratat e TVSH-së, Tatimit në burim, Listëpagesave, Deklarata e tatimit mbi fitimin/e thjeshtuar – a) Pas muajit korrik 2021 dhe b) me implementimin e plotë të procesit të fiskalizimit, pra pasi të jenë fiskalizuar të gjithë operatorët (në sistemin aktual e-filling apo në sistemin e ri që po ngrihet self-care)?
Përgjigje: Platforma do të lidhet me e-Tatimet dhe të dhënat nga librat e blerjes dhe shitjes do të përdoren për plotësimin e deklaratës së TVSH-së.
Deklarimet e mësipërme do të vazhdojnë të bëhen në sistemin aktual e-filling.
- Për gjithë sektorët e tjerë për të cilët do të presin faturë tatimore në subjektet e vogla që kanë detyrim në shtator do të paraqitet problemi që nuk do të pranohen online në sistemin selfcare këto fatura dhe si rrjedhim këto fatura të cilat brenda datës 30 ora 00.00 të çdo muaji nqs nuk do të pranohen do të stornohen automatikisht nga sistemi dhe do ngelen fatura të pa bëra dhe kjo do të sjellë një çregullim si në gjendjen e magazinës ashtu edhe atë të arkës.
Përgjigje: Faturat e lëshuara edhe nëse nuk janë pranuar brenda datës 10 të muajit pasardhës do të shkojnë automatikisht tek libri i shitjes (shitësit) dhe libri i blerjes (blerësit).
- Fatura e shoqërimit për subjektet që shesin nëpërmjet makinave derë-më derë akoma ështe e pa qartë si do funksionojë, vetëm disa shoqëri janë certifikuar për faturën e shoqërimit ndërkohë për faturën tatimore janë një numër i konsiderueshëm. Psh n.q.s firma ka implementuar një sistem fiskalizimi të një operatori të caktuar që nuk e ka marrë licencën për faturën e shoqërimit, është e nevojshme blerja e dy sistemeve të ndryshme. Për kompanitë që operojnë në shitje derë-më derë ky sistem do të krijojë shumë probleme si në lidhje me përgjegjësinë e faturës tatimore të shitjes të pa konfirmuar nga blerësi ashtu edhe për abuzimin që agjentët do t’u krijojnë kompanive të tyre pasi kompania nuk është e sigurt që malli është dorëzuar në subjekt duke qënë se faturat nuk do të firmosen më nga blerësi.
Përgjigje: Faturat e shoqërimit do të lëshohen vetëm në rastet kur nuk ndryshon pronësia mbi mallin dhe rasti i paraqitur do të konsiderohet si pikë shitje më vete e cila do të lëshojë fatura shitjeje pasi të jetë lëshuar fatura shoqëruese e fiskalizuar dhe nga magazina qendrore.
- Në lidhje me celjen e operatorëve të rinj: celja e operatorëve të rinj nëpërmjet ID gjenerohet nga listëpagesa e subjektit apo nga informacioni i gjendjes civile? Nqs gjenerohet nga listëpagesa E-SIG27 në momentin e hyrjes së një punonjësi të ri, i cili deklarohet 24 orë para, i bie që operatori në selfcare të regjistrohet pas 24 orësh që i bie pas 48 orësh.
Përgjigje - ID gjenerohet nga listëpagesa E-SIG27.
- Vendosja e orës së punës kur çelen operatorët do të nënkuptoje që pas kësaj ore ata nuk mund të kryejnë dot faturim? Si do të zgjidhet kjo nqs një operator do të duhet të bëjë një faturë dhe i ka kaluar orari, ndërkohë që nuk mund të ketë kush t’ia modifikojë orarin e punës?
Përgjigje - Ndryshimet e orarit të punës së operatoreve bëhen 24 orë para.
- Si do të bëhet regjistrimi i blerjeve jashtë vendit, por të pazhdoganuara në dogane? Psh një kompani transporti ndërkombëtar blen naftë jashtë vendit dhe e konsumon përsëri jashtë vendit gjatë transportit. Si do të përfshihet kjo faturë në librat e blerjeve të biznesit?
Përgjigje - Rasti konkret mund të dokumentohet si shpenzim duke paraqitur dokumenta shtesë provuese të shpenzimeve.
- Kur do të bëhet lidhja e fiskalizimit me kontabilizimin e faturave?
Përgjigje - Zgjidhjet softuerike të certifikuar e bëjnë të mundur ndërveprimin/fiskalizimin e faturave nga programet kontabel.
- Do duhet të saktësohet nëse është në fuqi udhëzimi i procedurës për marrëdhëniet biznes me individ konkretisht neni 59 i ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË I NDRYSHUAR për pagesat me para në dorë.
Përgjigje - Neni 59 i ligjit Nr. 9920, datë 19.5.2008 PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË I NDRYSHUAR udhëzon që tatimpaguesit, persona fizike apo juridike, tregtare, nuk mund të kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje/blerje me para në dorë, kur vlera e transaksionit është më e madhe se 150.000 Lekë. Në rastin kur blerësi është individ, nuk ka limit për pagesat me para në dorë.
- Si do të bëhet fiskalizimi në shoqëritë e huaja që blejnë dhe shesin jashtë, pa hyrë malli në Shqipëri, si psh blejne online dhe shesin online?
Përgjigje - Rasti paraqitur nuk sqaron/vërteton pronësinë mallit, dhe për këtë duhet që mallrat të hyjnë në territorin shqiptar në mënyrë që shitja të konsiderohet konform rregullave, pasi legjislacioni shqiptar i shtrin efektet e tij vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
- Kuptojmë që një faturë elektronike (E-Invoice) mund të lëshohet nëpërmjet portalit Self-Care të ofruar nga Administrata Tatimore nga gjithë bizneset pa TVSH që janë persona fizikë të vetëpunësuar. Do të sugjeronim që të ishte më e qartë dhe lehtësisht e identifikueshme në faqen e DPT-së baza ligjore dhe protokollin që duhet të ndiqet nga ato subjekte të tilla që s’jane regjistruar akoma në Self Care. Po ashtu do të sugjeronim që kjo mundësi të ofrohej edhe për subjekte të tjera përfshirë edhe persona juridik që për shkak të natyrës së biznesit (i.e Auditues Ligjor) mund të kenë një volum të kufizuar faturimesh vjetore (psh. 50-100 faturime vjetore).
Përgjigje - Në bazë të vendimit nr.220,dt 12.03.2020 PËR PËRCAKTIMIN E KATEGORISË SË TATIMPAGUESVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT TË PROCEDURËS SË THJESHTËZUAR TË FISKALIZIMIT “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimi”, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të Platformës Qendrore të Faturave, nëse përmbushin njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar;
b) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël;
c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
d) Kanë statusin ligjor “Person fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm.
- Faturat me likujdim të pjesshëm, pra rasti kur në momentin e lëshimit të faturës klienti paguan pjesërisht faturën cash dhe diferencën do e paguajë në një moment të dytë. Nuk ekziston si opsion kjo mënyrë pagese, por në momentin e zgjedhjes së pagesës cash, trajtohet si likuidim total. Ndërkohë nëse klienti paguan cash dhe diferencën në një moment të dytë, nuk ekziston një dokument që të lëshohet në këtë moment. Pak a shumë e njëjta situatë në momentin që lëshon një faturë dhe nuk e di mënyrën e likuidimit (rasti i faturave të konsulencës të lëshuara në datën e fundit të çdo muaji). Nëse zgjidhet pagesë e mëvonshme, në momentin e likuidimit cash nuk ka 1 dokument me të cilin të pajiset klienti për të vërtetuar pagesën dhe as përditësohet situata e gjendjes së arkës në sistem. Pra mendoj se duhet të shtohet në legjislacion një lloj dokumenti i quajtur Mandat Arkëtimi apo diçka e ngjashme.
Përgjigje - Nga pikëpamja fiskale, sugjerimi i paraqitur më sipër nuk është korrekt me legjislacionin në fuqi si për Kohën e Faturimit ashtu edhe për dokumentin e kërkuar.
- Faturat me klient të huaj për rastet e shërbimeve. Nuk saktësohet se si do bëhet miratimi (pranimi) i faturës nga blerësi.
Përgjigje - Në rastin konkret, Ligji nuk parashikon si kusht pranimin.
- Një tjetër problem ka të bëjë me shoqëritë e shitjes së softuervë, të cilat javët e fundit për shkak të fluksit, nuk ofrojnë shërbimin e duhur dhe për pasojë vendimet e marra nga klientët tanë bëhen shumë të vështira. Mendoj se duhet të shtyhet afati i zbatimit të këtij ligji për të paktën 3 muaj dhe të bëhen edhe rregullimet ligjore përkatëse.
Përgjigje - Ligji e ka parashikuar shprehimisht afatin e zbatimit të tij dhe Administrata Tatimore në bashkëpunim me subjektet tatimpagues është duke punuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për zgjidhjen e çdo problematike që mund të ketë lindur apo që mund të lindi në funksion të zbatimit të afatit që ky ligj parashikon.
- Nëse shoqëria pret faturë biznes me biznes me para në dorë për periudhën Korrik dhe Gusht 2021 është e detyruar të hyjë në procesin e fiskalizimit?
Përgjigje - Faza e dytë e procesit të fiskalizimit në kuptim të ligjit “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit” lidhet me transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Për transaksionet me para në dorë efektet e këtij ligji fillojnë më 1 Shtator 2021. Shoqëria nuk është e detyruar që të zbatojë procedurën e fiskalizimit për periudhën Korrik dhe Gusht në lidhje me transaksionet me para në dorë edhe pse ligji nuk e ndalon që ajo të përdori procedurën e fiskalizimit edhe për këto transaksione nëpërmjet një zgjidhje softuare-ike të certifikuar sipas parashikimeve ligjore.
- Nëse shoqëria gjatë periudhës Korrik-Gusht pret fatura biznes me biznes nga të cilat disa janë me para në dorë dhe disa janë likuidim me bankë, është e detyruar të lëshojë të gjitha fatura të fiskalizuara apo vetëm ato që likuidohen me bankë? Faturat me para në dorë mund të vazhdojnë të priten në të njëjtën mënyrë?
Përgjigje - Në këtë periudhë po, ju mund të lëshoni fatura të fiskalizuara për pagesat pa para ne dorë dhe për ato fatura, të cilat janë për transaksione me para në dorë, mund të vazhdojnë të priten në të njëjtën mënyrë deri më datë 1 Shtator 2021 kur ligji “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit” do të fillojë efektet edhe për transaksionet me para në dorë.
- Numrat serial të faturave tatimore të papërdorura do të depozitohen në tatime?
Përgjigje – Sqarojmë se nuk ka ndryshuar procedura, thjesht është dixhitalizuar mënyra e lëshimit të faturës. Numrat serial të faturave tatimore të papërdorura do të depozitohen në Administratën Tatimore.
- Nëse fatura do të likuidohet me bankë është e vështirë të përcaktohet emri i bankës, pasi është një informacion që do e marrin të gjithë punonjësit? Fatura korigjuese - notë krediti mund të lëshohet vetëm duke ju referuar një fature të mëparshme të fiskalizuar. Në rast se duhet të hartohet një faturë korigjuese-notë krediti për një fature shitje që është lëshuar përpara fillimit të fiskalizimit si duhet të lëshohet kjo notë krediti?
Përgjigje - Korrigjimi do të bëhët nëpërmjet numrit serial të faturës së mëparshme.
- Sipas legjislacionit të fiskalizimit, fatura e fiskalizuar për shërbime nga jo-rezidente (auto-ngarkesë) mund teë lëshohet brenda datës 10 të muajit në vijim. Të sqarohet çfarë do të thotë kjo. Pra nëse fatura vjen më datë muaji Tetor mund të bëjë shoqëria autofaturën brenda datës 10 nëntor, pra fatura të ketë datë nëntori? Nuk konsiderohet kjo si deklarim me vonesë i TVSH në muajin në vijim?
Përgjigje - Fatura nëse lëshohet brenda datës 10 të muajit nëntor do të konsiderohet për periudhën paraardhëse për të cilën është kryer shërbimi, pra për muajin Tetor sipas shembullit që keni paraqitur.
- Meqënëse bankat nuk do të pranojnë pagesë të faturës që nuk është e fiskalizuar si do të veprohet me parapagimet? Ligji shprehet që tatimpaguesi ka 72 orë për të lëshuar faturën në rast parapagimi, por banka si do të pranojë parapagim nga një tatimpagues shqiptar kur fatura nuk është lëshuar ende?
Përgjigje - Ligji parashikon se fatura duhet lëshuar edhe për parapagimet.
- Nuk kemi një sqarim për përfaqesuesit tatimore për TVSH, të cilët lëshojnë një faturë përmbledhëse mujore për gjithë pagesat e kryera gjatë muajit nga individet. Këto pagesa janë me vlera të vogla (pra nën 500 mijë Lekë). A mund të vazhdojnë përfaqësuesit tatimorë të lëshojnë faturë të fiskalizuar përmbledhëse mujore?
Përgjigje - Jo, legjislacioni parashikon se fatura duhet lëshuar në momentin kur kryhet furnizimi i mallit apo shërbimit.
- Si do të jetë afati i përpunimit të faturave në procesin live? Në Self-Care test është 6 sekonda/për faturë. A do të ketë ndonjë azhornim në këtë fushe? Na u deshen ore të tera për të kaluar në mënyrën automatike faturat e kësteve (1700 fatura).
Përgjigje - Afati i përpunimit të faturave në procesin live do të jetë 2 sekonda siç është përcaktuar në ligj.
- Për faturat e shoqërimit nga magazina në magazinë, nuk është e qartë nëse do të duhet të fiskalizohen nga data 1 Korrik apo 1 Shtator.
Përgjigje - Fatura shoqëruese duhet të lëshohet e fiskalizuar nga data 1 Korrik kur subjekti do të transferojë mallin për qëllime magazinimi pa ndryshuar pronësinë e tij.
- Importet si fletë doganore vetëm importohen në Self-Care, më pas duhet të ndërhyjme manualisht për faturën? Nuk kemi dijeni sa i aksesueshme do të jetë Self-Care pas datës 1 Korrik?
Përgjigje - Fleta doganore importohet në Self-Care, më pas blerësi përpilon faturën me të gjithë elementet, bazuar në nenin 9 dhe nenin 20 të ligjit 87/2019 dhe fiskalizon atë jo më vonë se tre ditë nga vendosja e mallrave në këtë regjim. Tatimpaguesi që lëshon fatura sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, mund të përdorë Platformën Qendrore të Faturave për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, për sa kohë që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara. Tatimpaguesit që lëshojnë fatura për transaksione me para në dorë, sipas nenit 22, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, mund të lëshojnë fatura dhe të kryejnë procedurën e fiskalizimit përmes përdorimit të Platformës Qendrore të Faturave, nëse përmbushin njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Nuk janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar;
b) Kanë përgjegjësi tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël;
c) Nuk kanë më shumë se një vendndodhje të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
d) Kanë statusin ligjor “Person fizik” dhe kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm.”
- Në datën 17.06.2021 serveri i tatimeve nuk funksiononte, pa patur informacion për këtë problem teknik, kemi tentuar të lëshojmë një faturë elektronike, e cila nuk u ekzekutua në moment, duke afishuar një mesazh për problem teknik, por pasi problemi teknik u zgjidh pas 3 orësh fatura rezultonte te të fiskalizuarat por e padërguar, kjo na ka detyruar korrigjimin e saj dhe ekzekutimin e një fature të re.
Përgjigje - Veprimi është kryer saktë.
- Në rastin e shërbimeve për punime të kryera, në fillim kërkohej në attach edhe situacioni i punimeve. Por, tani vërejmë që është hequr ky opsion. A do të vazhdoje keshtu?
Përgjigje - Për realizimin e faturës së fiskalizuar në aktivitet e ndërtimit, bashkë me të gjithë elementet e kërkuar në plotësimin e fatures elektronike, kërkohet në attach situacioni i punimeve të kryera, afati deri në datën 10 të muajit pasardhes.
- Auto-Ngarkesa dhe Vetë-Faturimi, si klient zgjidhet vetë kompania dhe a duhet Fature Elektronike?
Përgjigje - Detyrimin për lëshimin e fatures elektronike e ka subjekti i tatueshëm që kryen furnizimin. Auto-Fatura fiskalizohet automatikisht si në librin e blerjes dhe të shitjes.
- Eksporti do të bëhet vetëm fature e fiskalizuar sepse nuk e njeh Nipt-in e blerësit të huaj, si do të bëhet lidhja me deklaraten doganore?
Përgjigje - Fatura e eksportit nuk është fature elektronike. Ligji i fiskalizimit nuk ka ndryshuar procedurat tatimore, por mënyrën e lëshimit të faturës.
- Nëse njësia matesë nuk gjendet fiks në listen e kodeve, si do të procedohet?
Përgjigje - Njësitë matëse janë parashikuar të gjitha.
- Në trajnimet e bëra na kanë komunikuar në rast se një fature nuk pranohet apo refuzohet elektronikisht nga bleresi, në datën 10 të muajit tjetër ekzekutohen automatikisht në libra blerje, gjithashtu dhe rastet e refuzimit të faturës në datën 10 të muajit pasardhes ekzekutohen automatikisht nëse shitesi nuk bën anulimin e saj. Ka shumë paqaretesi sa dhe vet trajnuesit nuk na japin një shpjegim të saktë.
Përgjigje - Nëse fatura e lëshuar nuk kundërshtohet nga blerësi, atëherë brenda datës 10 të muajit pasardhes do të regjistrohet automatikisht tek të dyja palët.
- Për shoqeritë e ndërtimit, të cilat operojnë me situacione mujore të cilat finalizohen deri në datën 10 të muajit pasardhes, nuk ka opsione që deklarimi i faturës të përfshihet në librat e shitjes të muajit që i takon ky situacion.
Përgjigje - Platforma lejon që të shënohet periudha e faturimit dhe data e lëshimit dhe nëse periudha eshte 1-31 e muajit të mëparshëm atëherë kjo faturë shkon tek periudha e deklaruar.