Administrata Tatimore dëshiron të risjellë në vëmendje e të gjithë tatimpaguesve, të cilët në bazë të Ligjit 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, kanë detyrimin që prej datës 1 Janar 2021, të lëshojnë faturë në formë elektronike, të aplikojnë për t’u pajisur me Çertifikatën Elektronike për Fiskalizimin.
Sipas nenit 2, gërma b, dhe nenit 48, pika 2/a, të këtij ligji, fusha e zbatimit të tij përcakton detyrimin e tatimpaguesve, të cilët kryejnë transaksione shitje me Entet Publike, prej datës 1 Janar 2021, kanë detyrimin që të lëshojnë vetëm fatura elektronike për mallrat apo shërbimet e shitura.
Gjithashtu Administrata Tatimore rikujton se në datë 1 Korrik nis zbatimi i fazës së dytë të Fiskalizimit, për transaksionet pa para në dorë Binzes me Biznes. Edhe këta tatimpagues duhet të marrin masat për t’u pajisur në kohë me çertifikatën elektronike.
Çertifikata Elektronike, për projektin e Fiskalizimit është një nga elementët e domosdoshëm që siguron përdorimin e portalit të Faturës Elektronike dhe kryerjen e veprimeve me të.
Ky element teknik, shumë i rëndësishëm, për të aksesuar portalin dhe pranuar faturat, sigurohet duke aplikuar online tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet portalit e-albania, në linkun https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691.
Ftojmë të gjithë tatimpaguesit, që do të jenë përdorues të sistemit të Fiskalimit, që në zbatim të detyrimit ligjor, që rrjedh nga Ligji 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, të aplikojnë për t’u pajisur me Çertifikatën elektronike, brenda afateve kohore.