Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT takim me Tatimpaguesit e Mëdhenj për reformën e Fiskalizimit!

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon fushatën e informimit të bizneseve mbi procesin e Fiskalizimin, faza e parë e të cilit nisi zbatimin nga 1 Janari i këtij viti.

Për këtë arsye Administrata Tatimore zhvilloi ditën e sotme takim me disa nga përfaqësuesit e Tatimpaguesit e Mëdhenj, të pranishëm fizikisht në DPT duke respektuar rregullat e COVID-19 dhe online.

Qëllimi i këtij organizimi ishte informimi dhe sensibilizimi i Kompanive VIP, për lëshimin e faturave përmes zgjidhjeve Softwarike të Certifikuara, përpara detyrimeve ligjore.

Takimi u hap dhe u drejtua nga vet Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, e cila u shpjegoi të pranishmëve në sallë dhe online, cfarë është Fiskalizimi, ku konsiston kjo reformë, përfitimet që sjell etj.

“Tashmë siç e dini Fiskalizimi ka nisur prej datës 1 Janar. Ne do të dëshironim të merrnim një informacion më shumë nga ana juaj sesi është qasja juaj, si janë kostot që iu janë paraqitur, a janë ato ngarkesë për ju dhe a i keni konsultuar të gjithë ofruesit e softwar-ve apo jo për këtë kosto shtesë që do të ketë biznesi juaj nëse e konsideroni si kosto shtesë? Jemi të interesuar që ju të përmbushni detyrimet tuaja, proçesi të shkojë siç duhet dhe të ketë suportin maksimal nga ana e Administratës Tatimore.”

Të pranishmëve ju vendos në dispozicion një material prezantimi informues gjithëpërfshirës mbi Fiskalizimin, pas të cilit u zhvillua dhe një sesion pyetje-përgjigje, ku paqartësive të biznesit ju kthyen përgjigje shteruese nga Grupi i Punës së Fiskalizimit në DPT.

Më datë 1 korrik 2021 do të nisë Fiskalizimi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ndryshe B2B, ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.

Pavarësisht detyrimit për t’u përfshirë në Fiskalizim sipas afateve të mësipërme, Administrata Tatimore kërkon të sqarojë se të gjithë subjektet kanë mundësi të fiskalizojnë transaksionet e tyre përpara këtyre afateve.