Institucioni

Institucioni > Lajme >

Fiskalizimi: 3.337 vizita në terren në javën e parë të Marsit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të zbatimit të ligjit Nr. 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, për procesin e Fiskalizimit, i cili ka nisur më datë 1 Janar 2021, për të gjitha transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike, ose ndryshe B2G, publikon çdo javë të dhënat e përditësuara për disa pika të këtij procesi.

Shifrat, të cilat do të publikohen në mënyrë periodike përfshijnë numrin e trajnimeve të zhvilluara apo numrin e subjekteve të trajnuara, numrin e faturave të lëshuara, si elektronike ashtu edhe cash,takimet me shoqatat të ndryshme biznesi, kontabilistë, grupe të veçanta interesi etj.

Deri më datë 07 / 03/ 2021:

  • Në trajnimet e zhvilluara në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, kanë marrë pjesë 13.954 pjesëmarrës, nga të cilët më shumë se 1.250 Ente Publike, rreth 12.000 tatimpagues si dhe rreth 1.000 kontabilistë. Ndërkohë që janë zhvilluar gjithashtu edhe 10 trajnime në bashkëpunim me shoqatat e ekspertëve dhe kontablistëve, me një shifër prej 1.250 pjesëmarrësish.
  • Numri i faturave të lëshuara për periudhën 1-7 Mars 2021, është 50.302 fatura në total, të cilat janë lëshuar nga 1.057 tatimpagues. Nga kjo shifër (50.302), numri i faturave cash ose me para në dorë është 46.697, ndërsa 3.605 janë fatura elektronike ose e-invoice.

Nga numri total i faturave elektronike të lëshuara (3.605), ndaj Enteve Publike janë lëshuar 3.289 fatura elektronike, ndërsa 316 janë fatura të lëshuara në B2B.

Sqarojmë se në 3.605 fatura, i referohet një numri prej 887 tatimpaguesish, ku 310 kanë lëshuar fatura elektronike nga Platforma Self-Care, kurse 577 tatimpagues përmes zgjidhjeve softwarike.

Përsa i përket vizitave në terren, të nisura që prej 1 Marsit, sipas njoftimit paraprak, ku bizneseve, i është vendosur në dispozicion çdo material dhe informacion të nevojshëm tatimpaguesve në lidhje me Fiskalizimin, janë këto shifra:

  • Vizita në biznesin e vogël, në total në të gjitha DRT janë kryer 2.909, ndërsa vizita në biznesin e madh 428, me një total prej 3.337 vizita të realizuara në javën e parë të muajit Mars.

Me qëllim qartësimin e tatimpaguesve, zgjidhjen e problematikave që ata mund të kenë edhe pas implementimit të Fiskalizimit, gjatë dy javëve të fundit janë organizuar takime me shoqata të ndryshme si Dhoma Italiane e Tregtisë, Shoqatat e Transportit, Urdhëri i Farmacistave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Për më shumë informacion për Fiskalizimin, mund të vizitoni në çdo kohë edhe faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në adresën: https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi