Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim për regjistrim në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP)

Të nderuar tatimpagues!

Ju sjellim në vëmendje se, në cilësinë e subjektit raportues, duhet të regjistroni pronarin/ët tuaj përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), sipas kërkesave të Ligjit nr. 112/2020 dhe VKM nr. 1088, datë 24.12.2020.

Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin tuaj, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania.

Duhet të mbani në konsideratë, se, pronar përfitues është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin tuaj, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25 % ose më tepër, të:

  • aksioneve/kuotave;
  • pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit tuaj;
  • të drejtave të votimit; ose
  • përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti juaj në emër të tij.

Pronësia direkte, është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues

Pronësia indirekte, është pronësia ose kontrolli i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në subjektin tuaj.

Ndërkohë, me kontroll, do të kuptohet, kontrolli ose pronësia në një person juridik, trust ose marrëveshje të tjera ligjore.

Në rast se pronësia indirekte ushtrohet me anë të një trust-i, duhet të identifikoni dhe regjistroni si pronar përfitues:

  • Krijuesin;
  • kujdestarin/të mirëbesuarin;
  • mbrojtësin, nëse ka, dhe
  • përfituesit ose kur personat që përfitojnë nga marrëveshja ligjore ose entiteti ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin kryesor të të cilëve marrëveshja ligjore ose entiteti është krijuar ose operon;
  • ose çdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin me anë të pronësisë direkte ose indirekte ose me mjete të tjera.

Në aplikim, duhet të bashkëlidhet dokumentacioni i nevojshëm shoqërues, të tillë si: dokumenti i identifikimit të individit të regjistruar si pronar përfitues dhe ekstrakti i subjektit tuaj; ekstrakti i personit juridik që zotërohet nga individi i regjistruar dhe rezulton ortak/aksion në subjektin tuaj (pronësia indirekte); statuti/aktet e brendshme të shoqërisë; kontrata apo cdo dokument tjetër që vërteton se, individi i regjistruar është pronari përfitues i subjektit tuaj, sipas pronësisë direkte apo indirekte.

Kujdes!

*Në rast se nuk mund të identifikoni dot individin zotërues të 25 % ose më tepër, duhet të identifikoni dhe regjistroni si pronar përfitues, individin që:

  • përcakton vendimet e marra ose
  • Kontrollon në cdo lloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive

*Nëse nuk mund të identifikohet dot as në këtë rast, atëherë duhet të identifikoni dhe regjistroni si pronar përfitues, individin që mban pozicionin e drejtuesit/drejtuesve më të lartë.

Në këto dy raste, duhet të ngarkoni gjithashtu: (1)deklaratën me shkrim e nënshkruar nga përfaqësuesi juaj ligjor, ku të përcaktohen saktësisht hapat e ndërmarra për identifikimin e pronarit përfitues, si dhe arsyet e identifikimit të tij në këtë pozicion (2) dokumentacionin që vërteton kontrollin/pozicionin drejtues të individit të regjistruar si pronar përfitues në subjektin raportues (sipas rastit).                                                                  

Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese në format elektronik, shqyrtohen brenda dy ditë pune, nga nëpunësit e autorizuar të QKB-së, duke vendosur miratimin ose refuzimin e tij sipas kërkesave të VKM-së, vendimmarrje e cila publikohet në RPP gjithashtu, njoftohet nëpërmjet postës elektronike të deklaruar prej jush.

Lutemi, që aplikimi të kryhet brenda afatit 60 ditor, nga krijimi i RPP sipas nenit 15, të ligjit, pasi në të kundërt shoqërohet me penalitet sipas percaktimit te nenit 13, te ligjit nr.112/2020 dhe ndërperje shërbimi në në Regjistrin Tregtar, deri në regjistrimin e të dhenave si dhe shlyerjen e detyrimit

 

Faleminderit.