Institucioni

Institucioni > Lajme >

16.12.2020 – Thirrje për aplikim për pajisje me Çertifikatë elektronike për Fiskalizimin

Administrata tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, të cilët në bazë të Ligjit 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, kanë detyrimin që prej datës 1 Janar 2021, të lëshojnë faturë në formë elektronike, të aplikojnë për t’u pajisur me Çertifikatën elektronike për Fiskalizimin.

Sipas nenit 2, gërma b, dhe nenit 48, pika 2/a, të këtij ligji, fusha e zbatimit të tij përcakton detyrimin e tatimpaguesve, të cilët kryejnë transaksione shitje me entet publike, prej datës 1 Janar 2021, kanë detyrimin që të lëshojnë vetëm fatura elektronike për mallrat apo shërbimet e shitura.

Po kështu, dhe entet publike, pas kësaj date, për mallrat apo shërbimet e blera nga tatimpaguesit do të pranojnë vetëm Faturën elektronike, e cila do të jetë dokumentacion i vetëm i vlefshëm tatimor për furnizimet e marra.

Sic është paraqitur në takimet informuese dhe trajnimet që po zhvillohen në çdo DRT për tatimpaguesit, që do të jenë përdorues të sistemit të Fiskalizimit, një nga elementët e domosdoshëm që siguron përdorimin e portalit të faturës elektronike dhe kryerjen e veprimeve me të, është  Çertifikata elektronike për projektin e fiskalizimit.

Ky element teknik, shumë i rëndësishëm, për të aksesuar portalin dhe pranuar faturat, sigurohet duke aplikuar online tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet portalit e-albania, në linkun https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691.

Ftojmë të gjithë tatimpaguesit, që do të jenë përdorues të sistemit të Fiskalimit, që në zbatim të detyrimit ligjor, që rrjedh nga Ligji 87/2019 “Për Faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, të aplikojnë për t’u pajisur me Çertifikatën elektronike, brenda afatit.