Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve përshëndet operacionin “Tatimi” të Policisë së Shtetit dhe SPAK në Korcë. Sot, është vënë në pranga Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë dhe një specialist i regjistrimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mori masa të menjëhershme për delegimin e detyrave të Drejtorit Rajonal.
Ky akt, është shembull i pastër i vendosmërisë së Qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit.
Mbeshtetja e Policisë së Shtetit ndaj strukturave tatimore, kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit nuk ka munguar asnjëhërë dhe ka qenë gjithmonë efikase. Ne, jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin në administratën tatimore sic jemi të vendosur për të luftuar evazionin fiskal të bizneseve që kërkojnë ti shmangen detyrimeve ligjore.
Ky do të jetë prioritet, derisa të pastrohen të gjithë figurat të cilat ushtrojnë funksione publike dhe abuzojnë me to në kurriz të qytetarëve shqiptare. Barazia ndaj ligjit eshte principi themelor që i shërben ndertimit të një shteti ligjor dhe funksional, ndaj i ftojmë të gjithë tatimpaguesit dhe qytetarët të denoncojnë cdo veprim korruptiv të strukturave të Administratës Tatimore në të gjitha nivelet.
Ne jemi të vendosur të punojmë për ndërtimin e një Administrate Tatimore Moderne në shërbim të Tatimpaguesve!