Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton publikun se ndryshimet e fundit të VKM nr.305 datë 16.04.2020 përcaktojnë kritere të reja për përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë Shqiptare.
Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.
Aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga subjektet punëdhënës, deri në datën 5 Qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim.
Në rastet kur punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, të gjithë individëve përfitues (sipas listave bashkëngjitur) do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu bën thirrje të gjithë subjekteve, të cilët plotësojnë kriteret sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, i ndryshuar (sipas listës bashkëngjitur), të plotësojnë Kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues sipas VKM të sipërcituar. Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar, në seksionin Statusi shfaqet shënimi Miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës financiare prej 40.000 lekësh.
Dokumenti bashkëngjitur ju njeh me mënyrën e aplikimit për dorëzim të Kërkesës për Përfitim të ndihmës financiare sipas paketës nr.2, të zgjeruar.