Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim për tatimpaguesit mbi detyrimin e dokumentimit të transaksioneve dhe përdorimit të pajisjeve fiskale

Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit mbi detyrimin për dokumentimin e transaksioneve që kryejnë. Në zbatim të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” dhe ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, çdo transaksion i kryer duhet të jetë i dokumentuar dhe justifikuar me dokument tatimor.

 

Referuar kuadrit ligjor të mësipërm, për qëllim të dokumentimit të transaksioneve me para në dorë, tatimpaguesit mund të zgjedhin njërën nga  mënyrat e mëposhtme:

 

  1. Tatimpaguesit e rinj të regjistruar pas hyrjes në fuqi të ligjit për fiskalizimin (pas datës 4 Shkurt 2020) deri më datën 31 Mars 2020 mund:
  • të zgjedhin, të lëshojnë fatura sipas kërkesave të fiskalizimit; ose
  • të zbatojnë dispozitat në fuqi të procedurave tatimore pra të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale aktuale.

Nga data 1 Prill, tatimpaguesit e rinj sërish mund të zgjedhin njërën nga këto mënyra (ndër to edhe sistemin e administratës tatimore) për të dokumentuar transaksionet, deri në zbatimin e plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

 

  1. Tatimpaguesit ekzistues mund të zgjedhin që të lëshojnë fatura ose kuponë tatimorë, në përputhje me kërkesat e fiskalizimit osë nëpërmjet pajisjeve fiskale aktuale, deri në momentin e zbatimit të plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

 

Gjithashtu, ashtu siç përcaktojnë pika 2 e nenit 1 dhe pika 2 e nenit 18 të ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” , pajisjet fiskale aktuale do të vijojnë të përdoren edhe pas implementimit të plotë të proçesit të fiskalizimit.

 

 Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin detyrimet tatimore mbi dokumentimin e transaksioneve duke zbatuar procedurat dhe kërkesat e fiskalizmit ose të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale deri në momentin e zbatimin e plotë të ligjit të fiskalizimit.

Dokumenta ndihmëse