Institucioni

Institucioni > Lajme >

Administrata Tatimore Shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut thellojnë bashkëpunimin ndër institucional

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Delina Ibrahimaj priti në një takim zyrtar delegacionin e lartë të Zyrës së të Ardhurave Publike të Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga drejtoresha e përgjithshme, znj. Sanja Lukarevska.

Vizita e drejtuesve të lartë të administratës tatimore maqedonase në Tiranë ka si qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në kuadër të reduktimit të informalitetit, përmes incentivave që nxisin dhe mbështesin taksimin e ndershëm.

Gjatë fjalës së saj znj.Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy institucioneve, si dhe u ndal te nisma “TVSH-ja ime” që po zbaton me sukses administrata tatimore maqedonase dhe që mund të merret si një model edhe për atë shqiptare.

“Ky është një fillimi i mbarë për të dy administratat, të cilat janë duke punuar për të përcaktuar në mënyrë konkrete shtyllat kryesore të bashkëpunimit, që do të finalizohen me nënshkrimin e një Memorandumi të përbashkët Mirëkuptimi, mes dy administratave dhe më pas mes dy ministrive të linjës”, tha znj.Ibrahimaj.

Për të dy administratat, takimet e nivelit të lartë vlerësohen të rëndësishme, pasi janë mundësi për shkëmbimin e përvojave më të mira në fushën fiskale dhe në atë të mirëadministrimit të të ardhurave publike.

Nga ana e saj znj. Lukarevska, gjatë fjalës së saj, falënderoi palën shqiptare për pritjen e ngrohtë dhe shprehu bindjen se në të ardhmen ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej, me projekte konkrete.

“Të dy administratat tona kanë shumë pika të përbashkëta ndërveprimi, veçanërisht në politikat që po ndërmerren me qëllim reduktimin e evazionit fiskal dhe luftën kundër informalitetit. Ne, si Zyrë e të Ardhurave Publike të Maqedonisë së Veriut jemi të gatshëm që të krijojmë baza të qëndrueshme bashkëpunimi, qasje e cila është edhe në përputhje me objektivin e dy vendeve për t’u integruar në Bashkimin Europian”, tha znj. Lukarevska.

Kjo vizitë është në vijim të asaj të zhvilluar nga Administrata Tatimore e Shqipërisë në muajin janar 2020 në Shkup.